Kompanitë që merren me distribuimin e energjisë elektrike, KEDS dhe KESCO kanë njoftuar se aktualisht furnizimi me energji elektrike në Kosovë është stabil, derisa kanë bërë të ditur se garantojnë furnizim të rregullt edhe gjatë festave të fundvitit, raporton teve1.info
Sipas njoftimit të tyre, janë përcaktuar mbi 400 punëtorë që të kujdesen për nevoja të ndryshme gjatë festës.
“Gjatë tërë verës janë realizuar mirëmbajtje të nevojshme dhe qindra projekte në kuadër të planit investiv, me qëllim që të kemi një rrjet të qëndrueshëm, sidomos përgjatë dimrit, kur kërkesat për energji elektrike janë më të mëdha. Meqë ndodhemi në prag të Vitit të Ri, janë paracaktuar mbi 400 punëtorë, të cilët do të jenë në dispozicion të përkujdesen që konsumatorët të festojnë më drita”, thuhet në njoftim.
Përveç punimeve të planifikuara, KEDS-i thuhet se ka punuar dhe punon vazhdimisht në mirëmbajtjen preventivët të rrjetit elektrik, me qëllim që të gjithë konsumatorët të kenë furnizim stabil me energji elektrike.
“Megjithatë, furnizimi pa ndërprerje për qytetin e Malishevës mbetet ende sfidues, sepse, njëjtë siç kemi informuar edhe më parë, për shkak të pamjaftueshmërisë së kapaciteteve transmitive të tensionit të lartë mund të shkaktohen mbingarkesa. Probleme të njëjta mund të kemi edhe në disa lokacione të kufizuara të qytetit të Ferizajit”, thuhet në njoftimin e përbashkët KEDS dhe KESCO.