Kosova rrezikon të mbetet pa fuqi punëtore nga muaji janar 2024 si rrjedhojë e liberalizimit të vizave, ngase shumë të rinj planifikojnë që të largohen për në shtetet e Bashkimit Evropian.
Kështu ka vlerësuar kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, i cili kërkon nga Qeveria e Kosovës të krijojë një strategji që të parandalojë ikjen e të rinjve nga vendi.
Kreu i Odës Ekonomike, Rafuna thotë në një intervistë për KosovaPress, se edhe viti 2023 ishte sfidues për bizneset, kjo për shkak të ngecjes së investimeve kapitale nga ana e qeverisë, duke mos realizuar projektet me infrastrukturë të mirëfilltë për investime.
Teksa flet për ikjen e të rinjve, ai konsideron se gjashtëmujori i parë i këtij viti do të jetë mjaft sfidues në aspektin e fuqisë punëtore për bizneset.
Sipas Rafunës, faktori parë që ka ndikuar të ikin të rinjtë nga vendi është çështja e mos lidhjes së arsimit me kërkesat e tregut.
Ai bënë thirrje Qeverisë që të krijojë një strategji që parandalon ikjen e të rinjve nga vendi.
Kreu i Odës Ekonomike, Rafuna thotë se edhe gjatë vitit të kaluar sektori privat ka pasur sfida të shumta, me theks mungesën e fuqisë punëtore që ka shtyrë të investojë më shumë në pajisje.
Derisa në vitin 2022, qeveria fajin ia hodhi Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për ngecjen e investimeve, Rafuna thotë se tani kjo e fundit ka qenë e kompletuar dhe pushteti duhet të gjejë arsyet pse ka pasur ngecje të investimeve kapitale.
Duke folur për faktorët që kanë goditur ekonominë e vendit, Rafuna shprehet i pakënaqur edhe me rritjen ekonomike përgjatë vitit 2023, për të cilën thotë se parashikimet kanë qenë 3.7 për qind.
Ai derisa shton që në vend kanë munguar shumë investime të huaja, thotë se Qeveria duhet të punojë që t’i heq masat e BE-së.
Në fund, Rafuna kërkon nga qeveria që të krijojë më shumë pako stimuluese për bizneset dhe të bëjë një reformë të thellë të Tatimit të Vlerës së Shtuar dhe jo të paguhet si tani.