Nga 1 janari qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në zonën Shengen. Por kjo nuk do të vlejë për serbët e Kosovës që nuk janë të pajisur me pasaportë të Kosovës.
Për këtë çështje ka shkruar edhe gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung . Gazeta thekson se kjo nuk vlen për një grup njerëzish.
“Nëse ky përjashtim mbetet, atëherë serbët e Kosovës do të jenë të vetmit evropianë – pa llogaritur qytetarët e Rusisë dhe Bjellorusisë – të cilëve ende u mohohet liria e udhëtimit në BE,” tha gazeta.
Siç kujtohet, kjo “situatë e veçantë” u krijua në vitin 2009, kur qytetarëve serbë iu dha mundësia e udhëtimit pa viza.
Në atë kohë, Komisioni Evropian insistonte që të mos bëhet dallimi mes banorëve të Kosovës, kështu që serbët e atjeshëm, edhe pse qytetarë serbë, mund të merrnin pasaporta vetëm përmes Administratës Koordinuese. Me pasaporta të tilla ende nuk është e mundur të udhëtosh pa vizë.
“Tani Komisioni Evropian propozon të shfuqizojë atë rregull special nga viti 2009. Ai u tejkalua nga koha me vendosjen e lirisë së vizave për Kosovën, thonë në Bruksel”, shkruan Frankfurter Algemaine .
Sipas gazetës, këtë e kundërshton qeveria e Albin Kurtit, e cila pretendon se tani e më shumë serbët e Kosovës po kërkojnë pasaportat e Kosovës, gjë që, siç thonë në Prishtinë, i kontribuon integrimit.
Gazeta e Frankfurtit, nga ana tjetër, thekson se ende është një numër i vogël i serbëve që janë në kërkim të pasaportës së Kosovës. Vitin e kaluar, sipas të dhënave nga Prishtina, ishin 4350, ndërsa një vit më parë 3400.
Kjo të kujton letrën që zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi i shkroi Brukselit në nëntor, duke kërkuar që serbët e Kosovës ende nuk mund të udhëtojnë në BE me pasaportë serbe dhe duke u kujtuar atyre se ata gjithmonë mund të kërkojnë pasaportë të Kosovës.
Gazeta citon gjithashtu fjalët e një diplomati të paidentifikuar kosovar, i cili thotë se Kosova nuk duhet të marrë përgjegjësi për banorët që udhëtojnë me pasaporta serbe dhe kryejnë kundërvajtje – të themi qëndrimin më shumë se 90 ditë – apo vepër penale. “Ne mund të marrim përgjegjësi vetëm për qytetarët që udhëtojnë me pasaportë të rregullt të Kosovës”, tha diplomati.