Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka thënë se 67 për qind e bizneseve kanë shprehur shqetësimin e tyre me largimin e punëtorëve pas liberalizimit të vizave.
Megjithëkëtë, Rafuna pret një lajm të mirë për ta, pasi pritet ulja e inflacionit gjatë vitit 2024.
Në konferencën për medie, Rafuna ka paraqitur një përmbledhje të punës së OEK-ut gjatë vitit 2023, sfidat e kompanive dhe rekomandimet për institucionet qendrore.
Ai ka deklaruar se nga një analizë që kanë bërë me 500 kompani të ndryshme në vend, del që 67 për qind e tyre janë shumë të shqetësuar nga largimi i punëtoreve pas liberalizimit të vizave.
Ai tha se nga kjo analizë del që 70 për qind e kompanive si sfidë kryesore gjatë viti 2023 kanë pasur mungesë të personelit të kualifikuar.
“Pritjet tona janë që në vitin 2024 nuk do të këtë rritje të inflacionit dhe normave të interesit. Do të këtë ulje të inflacionit. Ky është një lajm i mirë edhe për bizneset që në vitin 2024 do të këtë rënie të normave të interesit. Kemi bërë një analizë me 500 biznes të sektorëve të ndryshme dhe kemi nxjerrë se cilat kanë qenë sfidat dhe barrierat më vitin 2023. Del që gjatë vitit ka pasur një mungesë të kërkesës, këtu hyn edhe ndërtimtaria te shitja e banesave, 53 për qind kanë deklaruar që ka mungesë të porosive. 70 për qind kanë deklaruar që kanë mungesa të personelit të kualifikuar. Problemi me mungesë të energjisë elektrike kanë deklaruar se kane 28 për qind”, deklaroi ai.
“67 për qind e bizneseve janë shumë të shqetësuar nga largimi i punëtoreve pas 1 janarit me liberalizimin e vizave. 27 për qind kanë deklaruar se është e shqetësuese, 4 për qind kanë deklaruar si pak e shqetësuese dhe 2 për qind kanë deklaruar se nuk është aspak e shqetësuese”, tha ai.
Ai tha se bizneset kosovare gjatë këtij viti do ta përcjellin trendet e procesit të teknologjisë dhe digjitalizimit si dhe procesi i tranzicionit në ekonominë e gjelbër, për të cilat tha se OEK do t’i ndihmojë./EO