Gati 70 për qind e bizneseve këtë vit kanë shprehur shqetësim për shkak të mundësisë së largimit të fuqisë punëtore pas liberalizimit të vizave.
Në një konferencë për media, Kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, tha se institucionet qendrore duhet të punojnë në aspektin e përmirësimit të situatës në sektorin ekonomik.
“67 për qind e bizneseve janë shumë të shqetësuar nga largimi i punëtorëve, pas 1 janarit me liberalizimin e vizave. 27 për qind kanë deklaruar se është e shqetësuese, 4 për qind kanë deklaruar si pak shqetësuese dhe 2 për qind kanë deklaruar se nuk është aspak shqetësuese”, tha Rafuna.
Sfidë kryesore, sipas tij, gjatë viti 2023 bizneset kanë pasur edhe mungesën e personelit të kualifikuar. Mes tjerash, Rafuna shtoi se pritet që këtë vit të mos ketë rritje të inflacionit.
“Pritjet tona janë që në vitin 2024 nuk do të këtë rritje të inflacionit dhe normave të interesit. Do të këtë ulje të inflacionit. Ky është një lajm i mirë edhe për bizneset që në vitin 2024 do të këtë rënie të normave të interesit. Kemi bërë një analizë me 500 biznese të sektorëve të ndryshëm dhe kemi nxjerrë se cilat kanë qenë sfidat dhe barrierat në vitin 2023. Del që gjatë vitit ka pasur një mungesë të kërkesës, këtu hyn edhe ndërtimtaria te shitja e banesave, 53 për qind kanë deklaruar që ka mungesë të porosive. 70 për qind kanë deklaruar që kanë mungesa të personelit të kualifikuar. Problemi me mungesë të energjisë elektrike kanë deklaruar se kanë 28 për qind”, tha Rafuna.
Sidoqoftë, ai tha se Oda Ekonomike gjatë këtij viti do të realizojë një sërë projektesh për normalizimin e situatës në aspektin ekonomik për kompanitë private. Derisa nga masat e vendosura nga Bashkimi Evropian, Kosova ka humbur rreth 300 milionë euro projekte.