Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish kryeministri, Avdullah Hoti, ka thënë se me ndarjen e 11 milionë eurove nga Qeveria për krizën energjetike, paratë transferohen nga buxheti i shtetit në KEDS.
Përmes një statusi në Facebook, Hoti ka thënë se kjo nuk është politikë e mirë dhe sipas tij nuk i ndihmon familjet në nevojë.
Hoti ka thënë se ulja e çmimit të energjisë elektrike do të ishte veprimi i duhur në këtë rast.
“Kjo nuk është politikë. Këto mjete nuk qëndrojnë tek familjet. Me këtë veprim, paratë transferohen nga buxheti i shtetit tek KEDS-i dhe bizneset e tjera përmes familjeve.
Ulja e çmimit të energjisë elektrike do ishte veprimi i duhur në këtë rast, pasi çmimi i energjisë në tregje ndërkombëtare ka rënë dukshëm krahasuar me vitin e kaluar”, ka deklaruar ai.