Në 33-vjetorin e filleve të manifestimit “Flaka e Janarit”, kreu i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni bashkë me familjarë të heronjve Rexhep Mala e Nuhi Berisha, si dhe zyrtarë institucionalë, kanë ndezur flakadanin në platonë e Teatrit të Qytetit në Gjilan, në shenjë nderimi e dedikimit ndaj sakrificës sublime të dëshmorëve të kombit Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, si dhe gjithë dëshmorëve tjerë të rënë për liri në periudha e etapa të ndritshme të historisë kombëtare, duke filluar nga epoka e Skënderbeut e këtej.
Kryetari Hyseni shprehu kënaqësinë që po fillon manifestimi “Flaka e Janarit 2024”, duke e cilësuar manifestim unik për nga struktura përmbajtësore në mbarë hapësirën shqiptare e më gjërë.
“Po fillojmë këtë manifestim në 40-vejtorin e vrasjes së dy heronjëve tanë, Rexhep Mala e Nuhi Berisha; atëbotë Rexhep Mala 33-vjeçar e Nuhi Berisha 23 vjeçar. Ata në shtet rrethim të paparë ndonjëherë luftuan kundër forcave që ishin pakrahasimisht më të shumëta në numër dhe më të pajisura me armatime, duke rezistuar dy ditë rresht, për t’u bërë të përhershëm e përgjithmonë pjesë e kujtesës sonë kolektive, si dhe për të përforcuar me gjakun e tyre rrugën e lirisë e cila do të kulmonte në vitin 1999 me çlirimin e Kosovës”, tha ai.
Kryetari Hyseni vuri në dukje më tej peshën, rëndësinë dhe jehonën që ka dhe do të ketë ndër breza manifestimi “Flaka e Janarit…”.
“Ky Manifestim, përveç si aktivitet kulturor e artistik ka vlerën edhe të historisë e peshën e madhe të barrës që duhet të bartin brezat që vijnë më pas, për rrugët që kanë trasuar dhe përgatitur për ne, e sidomos për ata që bartin sot përgjegjësitë publike, që të vazhdohet ajo rrugë të jetë e ndershme dhe të punohet me përkushtim të madh për të sjellur vendin tonë e popullin tonë në një gjendje më të mirë për vitet që vijnë e kohën që na pret”, shtoi Hyseni.
Kryetari Hyseni poashtu theksoi rëndësinë e madhe të vazhimësisë së traditës, që aktivitetet e përgatitura përgjatë rrjedhës së manifestimit nëpër shtyllat përkatëse të përcillen sa më shumë nga artdashësit, në mënyrë që mesazhi i sakrificës sublime nga heronjtë për vendin, të përcillet ndër brezat që vijnë e që do të jetojnë në vendin tonë dhe në mesin e popullit tonë.
Në ceremoninë e ndezjes së flakadanit kryetari Hyseni apeloi tek artdashësit që të kontribuojnë që “Flaka e Janarit”, të jetë një manifestim me vlerë artistike por edhe kombëtare e historike, veçmas për Gjilanin, sikurse edhe gjithë vendit tonë.
Në fund të ceremonisë hapëse të manifestimit “Flaka e Janarit 2024” me ndezjen simbolike të flakadanit, të pranishmit vizituan dhe panë nga afër ekspozitën me fotografi e video, të titulluar “Flaka ndër vite”, e të hapur enkas, si dhe u shoqëruan me pika të zgjedhura artistike/muzikore nga artistja Arzie Jusufi.