Kryediplomati spanjoll, José Manuel Albares, i cili ka qenë cak i kritikave të mëdha nga opozita spanjolle rreth “pranimin në heshtje” të pasaportës së Kosovës në dritën e liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian për kosovarët, ka shpjeguar sërish se kjo “nuk nënkupton” edhe njohje të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.
Megjithatë, Albares tha se “nuk mund të shtiremi kinse Kosova nuk ekziston” ndonëse “nuk e njohim sovranitetin e saj”.
“E kam thënë edhe shumë herë dhe e them edhe sot këtu, se Spanja nuk do të jetë kurrë pengesë për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. As për afrimin mes Prishtinës dhe Bashkimit Evropian. Sepse ai territor i Kosovës është brenda Ballkanit Perëndimor, dhe shkon në samitet e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor. Dhe Përfaqësuesi i Lartë (Josep Borrell) bëri një punë të lavdërueshme dhe ne e mbështesim atë. Nuk mund të pretendojmë se nuk ekziston. Por kjo nuk do të thotë se ne e njohim sovranitetin e saj”, ka thënë ministri spanjoll i jashtëm për “El Periodico”.