Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka uruar Talat Xhaferin, për pozitën e re si kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Në një postim të saj “X”, Osmani ka shkruar se sot është shënuar një monument historik i rëndësishëm për të gjithë komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
“Sot shënohet një moment historik të rëndësishëm për të gjithë komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke reflektuar kontributin e tyre jetik në shtetësinë e vendit dhe rrugëtimin drejt integrimit euroatlantik. I uroj qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Maqedonisë së Veriut suksese”, shkroi ajo.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjuvca uroi Talat Xhaferin për detyrën e tij të re.
Ai e ka quajtur të rëndësishme arritjen e kryeministrit për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
“Talat Xhaferit ia uroj pozitën e re të Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, këtë arritje të rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Deri dje ai udhëhoqi shkëlqyeshëm Kuvendin e këtij vendi mik.Kryeministri shqiptar, sado me kompetenca dhe kohë të limituar, thyen një barrierë të perceptimit për këdo. Urojmë që kjo përgjegjësi e re t’iu shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim. Bërja e Z. Xhaferi kryeministër deri në realizimin e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut vjen si mundësi që pjesëmarrja dhe integrimi i plotë i shqiptarëve të vlerësohet si synim i pashmangshëm, aq sa edhe përparimtar, prej të cilit përfiton më së miri vetë Maqedonia e Veriut”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndërkohë edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka uruar Xhaferin.
Përmes një postimit të tij në Facebook, Tahiri ka shkruar se veprat kombëtare e politike për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në historinë e Kosovës i ka skalitur përtej lideri Ali Ahmeti me bashkëpunëtorë.
“Talat Xhaferi e mbajti fjalimin e parë pas marrjes së detyrës si kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ai tha, ‘me ndërgjegje të pastër dhe përgjegjësi të plotë kam pranuar këtë detyrë’. Dihet mirë dhe kurr nuk do të harrohet se veprat kombëtare e politike për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, në historinë tonë më të re i ka skalitur përjet lideri Ali Ahmeti me bashkëpunëtorë. Andaj, urime kryeministër, Talat Xhaferi, poashtu respekt për punën e madhe që e bëri në qeveri, zëvendës kryeministri, Artan Grubi”, ka shkruar Tahiri./teve1.info/