Selver Xhelili, biznesmeni i suksesshëm dhe njëherazi i angazhuar sërish në mënyrë aktive në politikë, përfundoi një vizitë të suksesshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjegjësisht në Dallas të Teksasit, për të sjellë investitorë dhe bursa.
Ai ka përfaqësuar në mënyrën më të mirë të mundshme personalitetin e një afaristi të kalitur dhe të një politikani me vizion dhe perspektiv të lartë, duke dëshmuar dhe proklamuar qartë idetë kreative dhe konkrete, se çfarë mund të bëjnë më mërgimtarët shqiptarë në Shtetet e Bashkuar të Amerikës.
Si udhëheqës i ri me kapacitete e me suksese të jashtëzakonshme në ndërmarrësi, ai vijon duke i shërbyer interesit shtetëror të Kosovës e vitalitetit të kombit shqiptar. Atje, Xhelili u mirëprit nga veprimtarë të komunitetit Shqiptaro-Amerikan dhe i falenderoi ata që nga SHBA-ja, vazhdimisht lobojnë për Kosovën e për mbarë kombin shqiptar.
Gjithashtu shprehu mirënjohjen për kontributin e tyre vendimtar gjatë dhe pas luftës, pjesëmarrjen në UÇK-në e lavdishme si pjesëtarë e financues të lirisë së Kosovës, si aleatë të NATO-s e Perëndimit.
Gjatë takimeve, Xhelili shprehu gatishmërinë dhe vullnetin që në një të ardhme të afërt, të ndihmojë në bashkëpunim me biznesmenët shqiptaro-amerikanë, të sjellin investitorë e përfaqësues të kompanive të fuqishme nga Teksasi, të hapin linja të reja prodhimi në Evropë e në Kosovë, për fabrika e hapjen e vendeve të reja të punës. Qyteti i Gjilanit ishte në fokus të takimeve.
Veprimtarët shprehën admirimin për këto ide e kërkesa të Xhelilit, duke kërkuar një klimë sa më të favorshme nga Kosova e veçmas nga Komuna e Gjilanit, për ngjalljen e interesimit për investime amerikane e të mërgatës shqiptare nga atje. Ata shtuan se edhe nëpërmjet binjakëzimit të qyteteve të metropolit të Dallasit me ato në Kosovë mund arrihet një bashkëpunim edhe më i ndërsjellë.
Xhelili, përveç ftesës për investime në Gjilan, kërkoi për gjetjen e mundësive për financimin e bursave për studimet master e të doktoratës në SHBA, për studentët që mbarojnë studimet bachelor në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, për të vazhduar më tej në Teksas dhe për t’u rikthyer më vonë për të dhënë kontributin e tyre akademik e shkencor për Kosovën.
Këto dy çështje nga Xhelili u mirëpritën shumë dhe u dha zotimi që Komuniteti do të bëjë të gjitha përpjekjet për ta ndihmuar ekonominë e Gjilanit. Nëpërmjet një programi shkëmbyes studentët e Universitetit të Gjilanit mund të përfitojnë bursa nga Universiteti i Texasit.
Veprimtarët e falenderuan Xhelilin për vizitën në Dallas dhe vullnetin e lartë për zhvillimin e Gjilanit e të Kosovës, duke e vlerësuar tani e tutje si një adresë e urë lidhëse të SHBA-së e Kosovës, e veçanërisht bashkëpunimin me Komunën e Gjilanit.
Në fund Xhelili shprehu mirënjohjen më të thellë për mikpritjen, angazhimin dhe përpjekjet për ta ndihmuar Kosovën nga vendi i superfuqisë globale, siç është SHBA-ja.