Policia e Kosovës, konkretisht njësia patrulluese e Policisë Kufitare në Gjilan, në kuadër të luftës për parandalim dhe luftim të veprave të kundërligjshme, më datën 30.01.2024, rreth orës 14:30 gjatë patrullimit rutinë në fshatin Llovcë, kanë vërejtur lëvizje të dyshuara të një veture VW ngjyrë hiri me targa vendore.
Vetura me të vërejtur zyrtarët policorë ka tentuar të shmanget, ku gjatë largimit ka goditur njërin prej zyrtarëve policor, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Nga zyrtarët e njësisë kufitare është arritur të ndalohet vetura, të cilën e ngiste i dyshuari E.A., m/k (viti i lindjes 2001). Gjatë kontrollit në veturë janë gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë të përgjithshme rreth 11 kg.
Nga Njësiti i Trafikimit me Narkotikë, në konsultim me prokurorin e shtetit janë ndërmarrë veprime hetimore duke kryer kontroll në dy shtëpi të banimit, ku nuk është gjetur asgjë e dyshuar.
Me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari është ndaluar për 48 orë, kurse është identifikuar edhe një person tjetër i dyshuar i cili gjendet në kërkim policor.
Policia e Kosovës do të ndërmarrë masa dhe veprime ligjore ndaj të gjithë personave qe janë të përfshirë në vepra penale, në veçanti edhe ndaj atyre të cilët bëjnë trafikim me substanca narkotike.