Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka siguruar se tensione nuk do të ketë vetëm pse dinari është hequr nga përdorimi si valutë.
Ai i është përgjigjur shqetësimeve të ambasadorit amerikan në Kosovës, Jeffrey Hovenier, ku ka theksuar se nuk do të ketë trazira lidhur me këtë vendim të BQK-së.
“Shqetësimi është që mund të ketë turbulenca për shkak të këtij vendimi në pjesën e veriut të Kosovës. Ne sigurojmë që kjo nuk do të ndodh, ne jemi institucione që të sigurojmë që kjo nuk do të ndodh dhe që siguria do t’i ofrohet të gjithëve e po ashtu edhe që do të përballen me sundim të ligjit të gjithë ata që mundohen t’i keqpërdorin vendimet e ligjshme të Republikës së Kosovës për të shkaktuar trazira të cilat janë të paligjshme në Republikën e Kosovës. Çdo veprim i tillë do të përballet me sundimin e ligjit, do të përballet me organet e sigurisë dhe kjo nuk do të lejojmë që të ndodh. Pra situata nuk del prej kontrollit pse dinari është hequr nga përdorimi, si valutë e transaksioneve dhe pagesave në Republikën e Kosovës”, theksoi Konjufca.