Komuna e Gjilanit bashkë me këshillin e prindërve , kanë marrë vendim që të ndalojnë ekskursionet jashtë shtetit për nxënësit e shkollave shkruan Radio Star.
Pas këtij vendimi ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan, se Kryetari i Gjilanit Alban Hyseni dhe DKA duhet ta kuptojnë se asnjë udhëzim administrativ që rregullon organizimin e ekskursioneve të maturantëve, nuk i jep të drejtën e anulimit të këtyre organizimeve.
Komunikata e plotë:
Injoranca kaloi ne autokraci
I pari i ekzekutivit të Gjilanit, i cili gjithnjë e më shumë me veprimet e tij po tregon se nuk po qeverisë, por po administron me komunën, përveç që ka injoruar gjithë sistemin arsimor, para pak dite ka urdhëruar DKA-në, në formën klasike të një autokrati, të anulojë ekskursionet e maturantëve, duke treguar kështu edhe nivelin e tij të mospërfilljeve të ligjeve dhe akteve tjera nënligjore, që rregullojnë organizmet e institucioneve arsimore.
Alban Hyseni, administruesi i Komunës së Gjilanit dhe DKA, duhet ta kuptojnë se asnjë pikë e udhëzimit administrativ që rregullon organizimin e ekskursioneve të maturantëve, nuk i jep të drejtën e anulimit të këtyre organizimeve. Ai në vend të ngritjes së nivelit bashkëpunues me faktorët relevant të shkollave, për të siguruar organizimin sa më mirë të ekskursioneve, dorëzohet para individëve në mesin e nxënësve problematik për ta arsyetuar vendimin e tij. Nëse çdo drejtues shkolle do të dorëzohej para sfidave qe sjellin organizimet e ndryshme në shkolla, siç u dorëzua ky, atëherë shkolla publike do të vdiste kaherë.
Neni 11, pika 1 dhe 2 ( 2.1-2.21) e Udhëzimit Administrativ 2/2016, duhet ti mjaftojnë administruesit të Komunës së Gjilanit ,z.Hyseni, për të kuptuar se kush është përgjegjësi për organizimin e ekskursioneve. Nëse ai nuk do t’i kuptojë, ne besojmë se do të vijë dita shpejtë kur maturantët ia sqarojnë, sepse në sistemin demokratik autokracia ska vend.
Komisioni për Arsim i LDK-së në Gjilan, në programin e tij parasheh subvencionim 50% të ekskursioneve të maturantëve sepse ekskursionet jane mjete qe i kontribuojne cilësisë në arsim, mjete këto që në shumë vende të zhvilluara përdoren edhe në fëmijërinë e hershme. Ndalimin e ekskursioneve e kanë provuar edhe komunat tjera, por kanë dështuar.
Komisioni për Arsim i LDK-së në Gjilan,
03 shkurt 2024