Reparti i Kirurgjisë si një nga departamentet më të suksesshme të Spitalit Regjional të Gjilanit, muajve të fundit kanë kryer disa operacione të komplikuara shkruan Radio Star.
Përmes një komunikate Spitali Regjional i Gjilanit, ka treguar se dy doktorët Dr.Arbër Morina dhe Dr.Alban Bislimaj, kanë rritur gamën e shërbimeve në repartin e kirurgjisë duke mbretëruar një frymë të punës.
Komunikata e plotë:
Vazhdojnë punët e mira në repartin e kirurgjisë në Spitalin e Përgjithshëm Gjilan ku muajt e fundit janë kryer disa operacione të komplikuara të tumorëve të zorrëve të holla dhe të zorrës së trashë me reseksion të tyre.
Kanceri i zorrës së hollë është një sëmundje e rrallë në të cilën qelizat malinje (kancer) formohen në indet e zorrës së hollë.
Zorra e hollë është pjesë e sistemit tretës të trupit, i cili gjithashtu përfshin ezofagun, stomakun dhe zorrën e trashë.
Gjithashtu tumori i zorrës së trashë është formacion tumoral me qeliza atipike që rritet në paretin e zorrës së trashë dhe duke u zhvilluar, prek gradualisht gjithë murin e saj dhe përhapet lokalisht dhe në distancë në organe të tjera të trupit.
Intervenimet janë kryer nga ekipi i kirurgëve dhe anesteziologëve të Spitalit. Është evidente që me ardhjen e dy kirurgëve të rinj në SPGJ, Dr.Arbër Morina dhe Dr.Alban Bislimaj është rritur gama e shërbimeve në repartin e kirurgjisë duke mbretëruar një frymë e punës dhe e bashkëpunimit e cila po sjellë dobi në cilësi dhe siguri të sherbimeve shëndetësore.