Për ta shfrytëzuar autostradën Prishtinë – Gjilan, qytetarët duhet të presin edhe një kohë. E paraparë të përfundonte në vitin 2020, punët në terren, po shkojnë ngadalë.
Ndonëse në vende të caktuara është kantier ndërtimi, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi është optimist që segmenti deri në Bresalc të finalizohet gjatë këtij viti.
“Nga Banulla ku fillon autostrada e deri në Bresalc disa lote janë para përfundimit kanë mbet vetëm këto punët finale ne disa ka pak ma shume pune dhe jemi duke punu një urë, që është në pjesë të Zheovcit dhe na kanë mbet disa pjesë të gërmimit që duhet me i përfundua që me e hapë komplet trasenë dhe deri ka gjysma e vitit po shpresojmë qe deri kah gjysma e vitit ta përfundojmë komplet deri ne Bresalc”, tha Durmishi.
Për projektin që në veçanti do t’iu shërbejë banorëve të Anamoravës dhe Luginës së Preshevës, foli edhe kryetari i Gjilanit. Alban Hyseni theksoi problemet.
“Problemet me shpronësimin, rrëshqitjet e dheut për shkak të kualitetit jo të mirë të projekti. Kemi pas edhe zvarrite të punëve nga operatori për shkak të ngritjes së çmimeve që kanë sjellë problem. Unë besoj që brenda këtij viti autostrada e Gjilanit do të jetë temë e harruar”, tha Hyseni.
Ndërkohë, ministria e Infrastrukturës pritet ta shpallë tenderin për ndërtimin e segmentit nga Bresalci deri të Dheu i Bardhë. Fillimisht janë paraparë 60 milionë euro.
“Këto nuk mjaftojnë por planifikohet që autostrada në tërësinë e saj, pra deri te Dhe u Bardhe faza e ndërtimit te zgjasë 4 vite… kështu që një pjesë e buxhetit është e parapare ne vitin i cili nuk është ende në buxhet pra ne vitin 2024-25 dhe 2026-27 që të përfundojë në tërësi”, tha Durmishi.
Gjatësia e autostradës nga Prishtina deri në Gjilan është 22 kilometra, teksa mbi 12 kilometra janë të asfaltuara dhe të përfunduara./ATV/