Në veri të Kosovës, një grup i quajtur “Mbrojtja Popullore”, ka filluar të shpërndajë fletushka që inkurajojnë qytetarët serbë të mos binden ndaj Policisë së Kosovës.
Disa fletushka të një organizate të re “Mbrojtja Popullore” janë shpërndarë të hënën në komunat veriore të Kosovës, në të cilat janë dhënë udhëzime për “t’iu kundërvyer policisë së Kosovës dhe administratës komunale”.
Në fletushka udhëzohen serbët që t’i gjuajnë me gjësende policët e Kosovës, përfshirë edhe me kokteje molotovi. Po ashtu udhëzohen edhe si të goditen me shuplakë shërbyesit komunal.
Ndër udhëzimet në këto fletushka janë edhe si të thyhen veturat e policisë “më lehtë” e po ashtu edhe ka udhëzime se si “të bëhet kokteji i molotovit”.
“Kur policia arreston dhe ngacmon serbët siguroheni t’i mbroni ata kundër terrorit. Rezistenca nis tash” Do të vazhdojë ‘Mbrojtja Popullore’”, shkruan në fletushkë.
Lidhur me fletushkat ka reaguar Lista Serbe.
Përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, Lista serbe u bën thirrje qytetarëve që të mos bien në provokime dhe brenga të tilla.
“Kërkojmë nga bashkëqytetarët tanë që të qëndrojnë të qetë, sepse veprime të tilla, kushdo që i ka kryer, janë kundër paqes dhe duken me qëllim të keq për destabilizimin e mëtejshëm, në mënyrë që serbët të fajësojnë veten për incidente të reja të mundshme”.
“|Për dikë, padyshim, synimi është që serbët t’i paraqesin si të dhunshëm dhe t’i heqin presionet që ai ka për shtypjen e serbëve”. “Populli serb nga Kosova do të vazhdojë të luftojë për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre në këtë rajon me metoda paqësore”, thuhet në reagim.