Jakub Bielamowicz, analist i Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor në Institutin e Evropës së Re, ka shpërndarë një video të kryeministrit Albin Kurti gjatë fjalimit të tij në institutin “Chatham House”, ku foli për sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe për rrezikun që vjen nga Serbia.
Bielamowiczu në llogarinë e tij në X tha se Kurti ka shpjeguar se pse infiltrimi i Kremlinit në Serbi është kërcënim hibrid për Ballkanin Perëndimor.
“40% e deputetëve serbë janë anëtarë të grupit të miqësisë me Rusinë. Gjatë dekadës së fundit, më shumë se 3000 njerëz janë trajnuar nga ‘Qendra Humanitare’ ruso-serbe në Nish. Qendra rajonale e Sputnikut ndodhet në Beograd. Ka fluturime të përditshme ndërmjet Moskës dhe Beogradit, shumë biznese ruse po krijohen në Serbi. Sipas sondazheve, qytetarët e Serbisë besojnë se marrin më shumë mbështetje financiare nga Rusia sesa nga BE-ja”, ishin disa prej citateve të Kurtit që analisti polak i shpërndau në llogarinë e tij në X.
Ndërkaq, në fjalën e tij, Kurti tha se parlamenti i mëparshëm i Serbisë, nga 250 deputetë, 99 prej tyre ishin në grupin e miqësisë të federatës Serbi-Rusi.
“E dini, ne kemi grupet e miqësisë së Parlamentit, Kosovë-MB prej dhjetëra deputetësh maksimumi, por jo 40 për qind të parlamentit në një grup miqësie. Fluturime direkte çdo ditë Beograd-Moskë, shumë biznese janë të hapura dhe baza rajonale e Sputnikut për Ballkanin është në Beograd. 100 milje larg Kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, është e ashtuquajtura Qendra Humanitare Serbo-Ruse. Me dhjetëra spiunë dhe agjentë që trajnojnë njerëzit për situata emergjente. Mbi 3000 njerëz shkuan në trajnime në atë Qendër në pak më shumë se një dekadë. Pra, kush janë këta 3000 njerëz që shkuan në atë trajnim. Atëherë lufta hibride është shumë e pranishme në akademi, në universitet”, tha Kurti në fjalën e tij.
Tutje, Kurti tha se ambasadori rus në Serbi fton për takime studentë serbë të cilët sipas tij e mësojnë përrallën ruse se si do të duket bota.
“Ambasadori rus në Beograd fton në darka, studentë të Fakultetit të Drejtësisë, Fakultetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, shkencave politike, sociologjisë e kështu me radhë, kështu që BE-ja derdh shumë para, dhe në mbrëmje, ata marrin përrallën ruse se si duket dhe do të jetë bota”, tha ai.
Duke folur për atë se sa i besojnë serbët BE-së, Kurti tha se shumica prej tyre besojnë se më shumë marrinë fonde nga Rusia sesa nga BE-ja, gjë që sipas tij është një gënjeshtër.
“Ju mund të jepni shumë para dhe nëse pyesni tani, nëse bëni një sondazh në Serbi, ata do t’ju thonë se po marrin më shumë mbështetje financiare nga Rusia sesa nga BE-ja, që është absolutisht e rreme”, tha Kurti.