Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka vizituar kompleksin memorial në Prekaz, në prag të 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, raporton teve1.info
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka shkruar se në këtë ditë të veçantë, Kosova duhet të angazhohet në forcimin e shtetësisë duke qenë rresht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n.
Haradinaj ka shkruar se para vizitës në kompleksin memorial, është pritur nga i pari i familjes, siç e ka quajtur emblematike të Jasharëve, Rifat Jashari.
“Liria e shteti ynë i ka rrënjët pikërisht aty ku kulmuan ato përpjekje të parreshtura, në Prekazin legjendar.
Në prag të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kujtojmë e nderojmë gjithë anëtarët e kësaj familje, që shërbeu si shembulli më frymëzues i guximit për të luftuar për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Në këtë ditë të veçantë, vazhdojmë të përforcojmë më shumë se kurrë përkushtimin tonë ndaj vlerave të lirisë, për të cilën familja Jashari dhe shumë të tjerë janë sakrifikuar. Duhet të angazhohemi parreshtur në forcimin e shtetësisë sonë duke qenë në rresht me aleatët tanë në krye me ShBA, si anëtare e NATO-s.
Para nderimeve të të rënëve për liri, u mirëpritëm nga i pari i kësaj familje emblematike, baca i shqiptarëve, Rifati. Si gjithmonë, plot jetë e pozitivitet, zemërgjerësi e dashuri për miqtë, luftëtarët e lirisë, Kosovën e kombin përgjithësisht. Kjo shtëpi e madhe e kombit, gjithmonë me dyer të hapura për miliona shqiptarë e miq ndërkombëtarë”, ka shkruar Haradinaj.