Policia e Kosovës i ka mohuar raportimet në disa media se xhandarmeria serbe është futur brenda territorit të Kosovës, përkatësisht në fshatin Bervenik të komunës së Podujevës.
Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani për teve1.info ka thënë se bëhet fjalë për patrullime të përbashkëta që KFOR-i i bën me kontingjente të caktuara, duke realizuar me autoritete policore serbe, ashtu siç realizon edhe me Policinë e Kosovës.
Tutje, ai tha se Policia e Kosovës me njësitet relevante, përfshirë ato kufitare vazhdon patrullimet policore në ruajtje të rendit kushtetues, ofrim të sigurisë dhe parandalim të krimit trans kufitar.
“Lidhur me informacionin e publikuar në disa media/portale, ku thuhej se një qytetar ka parë forcat serbe se kanë hyrë në territorin e Kosovës diku në zonën kufitare, në fshatin Bervenik të komunës së Podujevës, Policia e Kosovës menjëherë ka ndërmarrë veprime konkrete duke trajtuar këtë informacion. Bazuar në informacionet zyrtare bëhet fjalë për patrullime të përbashkëta, që KFOR me kontigjente të caktuara, realizon me autoritet policore serbe, ashtu siç realizon edhe patrullime të përbashkëta me njësitet relevante të Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës me njësitet relevante, përfshirë ato kufitare vazhdon patrullimet policore në ruajtje të rendit kushtetues, ofrim të sigurisë dhe parandalim të krimit trans kufitar”, ka deklaruar Kelani.