Në vënien e gurthemelit të fabrikës së prodhimit të dyerve dhe dritareve në Verbicë të Kmetocit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur edhe për situatën në vend, derisa ka përmendur edhe raportet me ShBA-në, shkruan Reporteri.net.
Kreu i ekzekutivit tha para gazetarëve se bashkëpunimi me ShBA-në është i mirë, janë miq e aleatë por kjo siç tha ai nuk do të thotë se pajtohen për gjithçka.
Kryeministri tha se Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, Qeveria ka detyrë ta mbështesë.
“Unë nuk e kam thënë qëndrimin e asnjë shteti tjetër por si kryeministër i Republikës së Kosovës kam folur që raportet tona, bashkëpunimi jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) është shumë i mirë tash me jemi partner, aleatë, miq, kjo nuk do të thotë që pajtohemi absolutisht çdoherë në çdo vend për gjithçka, mirëpo në këtë aspekt kemi një Rregullore të re të Bankës Qendrore të Kosovës të cilën Qeveria e Republikës së Kosovës sipas Kushtetutës dhe ligjit, ka për detyrë ta mbështesë, andaj edhe unë them që raportet tona janë shumë të mira dhe i qëndroj kësaj fjale”, ka thënë Kurti.
I pari i Qeverisë foli edhe për nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë, pasi siç tha ai nëse e ftojnë për një gjë të tillë do të shkojë.
Kurti theksoi se për të marrëdhëniet me Serbinë do të normalizoheshin qysh në shkurt apo mars të vitit 2023, por siç tha ai kjo mund të bëhet edhe në marsin e vitit 2024.
“Nëse na thërrasin për nënshkrim të marrëveshjes padyshim që shkoj. Unë jam treguar konstruktiv dhe i përkushtuar edhe atëherë kur na kanë thirrur në Bruksel, e raundi i bisedimeve nuk mund të thuhet që ka qenë i suksesshëm. Unë këtë e bëj për BE-në, por e bëj edhe për shkak se duhet të kemi marrëdhënie normale me Serbinë. Sa për mua, marrëdhëniet do normalizoheshin qysh në vitin e kaluar, por nëse nuk është bërë në shkurtin dhe marsin e vitit 2023, e mund të bëhet në shkurtin e marsin e vitit 2024, pse jo”, është shprehur Kurti.