Varg e Vi, në thirrjen publike të Komunës së Gjilanit gjatë pjesës së dytë të vitit të kaluar për organizimin e Flakës së Janarit 2024, kishte aplikuar vetëm për një sektor të organizimit të Talias së Flakës 2024 në kuadër të Flakës së Janarit 2024 (sektorët e tjerë janë organizuar nga organizatat e tjera joqeveritare), duke arritur disa reforma, përfshirë edhe heqjen për herë të parë nga gara të nikoqirit me trupat mysafire, por edhe shitjen e biletave për shfaqjet mysafire me 1 euro për 1 biletë.
Ashtu siç e kishte propozuar projektin për shqyrtim dhe rezultoi me sukses nga Komisioni Vlerësues, ashtu edhe e ka zbatuar projektin me përpikëri, duke i inkorporuar në buxhetin e Komunës së Gjilanit për Talian e Flakës 2024, 900 euro shtesë në buxhetin total prej 20900 eurosh (20 mijë nga Komuna e Gjilanit dhe 900 euro nga Varg e Vi), mjete të grumbulluara nga shitja e biletave për Festivalin Stand Up Komedi 2023 të organizuar vitin e kaluar nga Varg e Vi, si dhe nga shitja e biletave për Talian e Flakës 2024, ka dhuruar për Teatrin e qytetit të Gjilanit, edhe 893 euro të tjera, të fituara nga shitja e biletave me 1 euro të shfaqjeve mysafire.
Shfaqja e parë nga Teatri i Gjilanit në “Talian e Flakës 2024” ka qenë me ftesa, pa bileta, një shfaqje mysafire ka anuluar pjesëmarrjen për arsyet e tyre teknike dhe nga katër shfaqjet e tjera mysafire, janë grumbulluar te Koordinatori i Vullnetarëve, Ardit Jaha, 893 euro. Këto mjete gjithashtu mund të dëshmohen edhe nga biletat e prera provë, pasi që Varg e Vi ngulmon në transparencë dhe llogaridhënie, duke qenë organizatë e konsoliduar tashmë që nga viti 2011.
Varg e Vi është krenare që ka arritur pas shumë vjetësh, ta bëjë digjitalizimin e biletarisë së Teatrit të qytetit, përmes bashkëpunimit të ngushtë me teatrin dhe kompaninë gjegjëse profesionale për digjitalizim, kompaninë Cacttus, e njohur në fushën e zgjidhjeve dhe shërbimeve të TIK-ut.
Varg e Vi në vizionin dhe platformën e saj ka për qëllim që të jetë organizatë edhe me përgjegjësi sociale, duke ndihmuar në zhvillimin e komunitetit kulturor, rritjen e turizmit lokal, kthimin në investime në fushën e kulturës nga çdo mjet shtesë të grumbulluar në financimin publik e donatorët, si dhe me transparencë radikale në mënyrën e financimit, raportimit dhe deklarimit publik./radiostar/