Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih ka njoftuar se në konsullatë kanë mirëpritur presidentin e Bordit të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër dhe CEO i kompanisë “Fetaxid AG” në Zvicër dhe “Vali Ranch Resort” në Kosovë, Fehmi Fetahin, transmeton albinfo.ch.
Fetahi është udhëheqës i përkushtuar dhe vizionar në botën e biznesit, pasi në dy kompanitë e tij ka krijuar qindra vende të punës.
“Me një përvojë të pasur dhe një qasje të zgjuar ndaj zhvillimeve të tregut, ai ka arritur të krijojë vlera të jashtëzakonshme në fushën e biznesit. Me shumë përkushtim ndaj punës dhe inovacionit, z. Fetahi ka arritur të fitojë çmime dhe mirënjohje të shumta nga institucione dhe organizata të ndryshme. Kontributi i tij në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e mundësive të reja është vlerësuar dhe njohur në nivel lokal dhe ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.
Tutje, konsullata ka falenderuar Fetahin për angazhimin e tij të palodhur dhe kontributin e çmuar në ndërtimin e një biznesi të suksesshëm.
“Ne jemi krenarë që kemi kompani të suksesshme si pjesë e mërgatës sonë. Suksese të vazhdueshme në të gjitha përpjekjet tuaja, dhe shpresojmë që të vazhdoni të ndani njohuritë dhe përvojën tuaj me ne për të nxitur zhvillimin dhe suksesin e mëtejshëm të biznesit dhe investimeve tuaja në vendlindje”, thuhet ndër të tjera në njoftim.