Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu i ka bërë thirrje gjithë spektrit politik që të ruajnë partneritetin me miqtë dhe aleatët e Kosovës sidomos në këtë periudhë ku sipas presidentes, Serbia përbën kërcënim të vazhdueshëm për Kosovën. Osmani ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi dhe masat e BE-së ndaj vendit.
Ndryshe nga kreu i ekzekutivit mendon shefja e shtetit.
Sipas presidentes së vendit Vjosa Osmani-Sadriu, spektri politik në vend duhet të ketë kujdes në raportet me SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar dhe BE-në, të cilët Osmani i konsideron partner të rëndësishëm dhe konsolidues të shtetit që nga paslufta.
Presidentja e cila është edhe komandante supreme e FSK-së, tha se shteti është nën kërcënim të vazhdueshëm, meqë në kufijtë e republikës, Serbia vazhdimisht synon të kryejë agresion të ngjashëm me atë të 24 shtatorit në Banjskë.
“Kosova është shtet që natyrisht është demokraci e konsoliduar dhe zhvilluar, por mos të harrojmë që kemi probleme të mëdha të sigurisë në kufij e kemi një shtet që çdo ditë synon agresionin ndaj Kosovës, që çdo ditë synon gllabërimin e territorit tonë që cdo ditë synon edhe sot 25-vite mbas lufte me vrasjen e qytetarëve tanë, siç e pamë vrasjen e heroit Afrim Bunjaku, neve na duhen aleatët dhe partnerët tanë”, ka deklaruar presidentja Vjosa Osmani.
Që masat e BE-së ndaj Kosovës të largohen, presidentja Osmani bëri të qartë se kjo çështje ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore, për çka tashmë janë dorëzuar nënshkrimet e peticionit në KQZ.
“Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës është e lidhur me mbajtjen e këtyre zgjedhjeve është e domosdoshme që të ecim përpara. Natyrisht gjithnë në përputhje me ligjin dhe procedurat e parapara”, u shpreh presidentja Osmani.
E këtë vit do të mbahen zgjedhjet në Bashkimin Evropian ku do të zgjidhet komisionar të ri dhe zyrtar të cilët do ta marrin përsipër dialogun, Kosovë-Serbi.
Sipas presidentes, Kosova duhet të dëshmon interesimin e saj për zbatimin e marrëveshjeve duke u nisur edhe nga aneks dokumenti i arritur në Ohër vitin e kaluar.
“Ne duhet t’i bindim të gjithë partnerët tanë dhe gjithë ata që janë të involvuar në këtë proces që ne nuk i ikim nga obligimet tona kur marrim përsipër diçka, edhe e zbatojmë atë, dhe natyrisht ajo cfarë bënë Serbia është e kundërta jo vetëm që pajtohen për marrëveshje por pastaj 24-orë pas tregojnë që nuk do t’i zbatojnë ato. Presioni duhet të jetë në Beograd që edhe ata ta pranojnë zbatimin e marrëveshjes së aneks dokumentit të arritur në mars të vitit të kaluar, dialogu varet nga të dyja palët”, tha Osmani.
E pyetur për sigurinë në Kosovë, komandantja supreme, i siguroi qytetarët e Republikës për sigurinë të cilën e ka shteti.
“Rrini të qetë”, tha Osmani.