Shkruan: Avni Rudaku
Ka disa arsye që sot komentuesit e një lajmi, artikulli, opinioni, teksti në përgjithësi, të publikuar në rrjetet sociale, portale e masmedie, janë aq larg të kuptuarit të një teksti, qoftë shumë të thjeshtë dhe të shkruar aq qartë. Po i rendisim vetëm disa arsye:
1. Në botën e sotme të qarkullimit të miliona imazheve, videove të shkurtra dhe teksteve, komentuesit mund të kenë vështirësi për t’u përqendruar për një kohë të gjatë për leximin e një artikulli.
2. Komentuesit janë të mbingarkuar me punë dhe aktivitete të tjera, kështu që mund të mos kenë kohë të mjaftueshme për të lexuar përmbajtjen e plotë, por vetëm titullin.
3. Komentuesit duan që artikullshkruesi të jetë i rreshtuar, ose për fenomenin, ose kundër fenomenit, por nuk e durojnë pozicionin “mbi fenomenin”.
4. Komentuesit mund të jenë pjesë e kritikës brenda artikullit për çështjet që i mendojnë me stereotipa e paragjykime, prandaj nuk e durojnë një këndvështrim që ua lëkundë skemat e gabuara ekzistuese mendore.
5. Duan diçka të shkurtër, shumë të shkurtër. Po të mundnin, edhe romanin me aq shumë faqe, do ta donin si status fejsbuku, si cicërimë “X”, ose si një rresht. Por romani nuk është status. Nuk mund të shkatërrohet çdo zhanër shkrimi e të bëhet i shkurtër, sepse kështu kanë vendosur dizajnuesit e aplikacioneve teknologjike dhe rrjeteve sociale. Madje, do të donin më parë një foto e video të shkurtër, sesa një tekst me një rresht. Janë përtacë kognitivë. Duan vetëm vizuelizim, e jo lexim.
6. Komentuesit shpesh kanë pritshmëri të caktuara për një artikull ose postim dhe nëse përmbajtja nuk përputhet me qëndrimet e tyre, ata/ato mund të mos e lexojnë atë me vëmendje.
7. Në rrjetet sociale e portale, reagimet mund të jenë të shpejta, pa marrë parasysh përmbajtjen e plotë. Kjo mund të çojë në keqkuptime dhe keqinterpretim të shpejtë të informacionit. Dikur shkruhej, rishkruhej, rimendohej disa herë një tekst para se të shkruhej, e lëre më para se të publikohej, vetëkontrollohej dhe më pas kalonte në redaktim nga redaktori dhe një ekip i tërë. Ndërsa tash, me shpejtësi mund të shkruash, pa e menduar gjatë, pa iu kthyer sërish e sërish, para publikimit. Ajo që dikur ishte vetëm “draft”, tash është veç publikim final. Duhet kohë për të menduar. Ndërsa tash, nuk ka kohë as për të menduar. Komentimet janë shumë të shpejta, pa u menduar gjatë.
8. Komentuesit, në shumicën e rasteve, mund të lexojnë vetëm titullin ose një pjesë të shkurtër të përmbajtjes dhe pastaj të vazhdojnë të komentojnë ose reagojnë bazuar në leximin e shpejtë. Kjo dukuri po quhet në anglisht “skimming”, kur një komentues mund të jetë duke kaluar shpejt nga një pjesë shkrimi në një tjetër pa u përqendruar plotësisht, duke humbur detaje apo thelbin e tekstit.
9. Në rrjetet sociale, reagimet e një komentuesi mund të ndikojnë në reagimet e komentuesit si individ, duke i shtyrë të komentojnë si komentuesit e tjerë. A e keni vërejtur sa shumë ka ngjashmëri në shumicën e komentuesve se si menduakan nën një tekst?! Efekti i grupit, konformizmi social, janë të shpeshta te komentuesit.
10. Anonimiteti i ofruar nga rrjetet sociale mund të ndikojë në sjelljen e individëve, duke i bërë ata më të prirë të fyejnë pa u shqetësuar për pasojat, paditë dhe ligjet ekzistuese kundër shpifjes.
11. Shumë komentues mund të mos jenë të aftë për të vlerësuar në mënyrë kritike artikullin që u del para, duke i lejuar emocionet të dominojnë në vlerësimin e tyre.
12. Komentuesit, në shumicën e rasteve, nuk komentojnë për shkruesin, por komentuesit e tjerë, me shpresën se do të tërheqin vëmendje, do të bëhen viralë, do të bëhen “skrinshota” në celularët e të tjerëve, si mahi dhe interesantë. Duan dramaticitet, fyerje, konflikt me shkruesin, sepse kanë nevojë për vëmendje.
13. Në botën teknologjike të komunikimit, ka pak standarde të rregulluara etike dhe vlerore, duke u shkëputur nga realiteti fizik e social ku janë më të sforcuara vlerat morale.
14. Huqja e kontekstit të shkrimit, është e shpeshtë te komentuesit. E huqin kontekstin, sepse nuk e njohin atë.
15. Disa komentues shqiptarë që jetojnë në mërgim, janë komentuesit më të shpeshtë. Duke qenë të paintegruar në shoqërinë pritëse, kurrë nuk bëjnë një mik a mike zvicerane, gjermane, suedeze, amerikane, dhe mungesën e integrimit social, e shprehin me revoltë në postimet e tyre, në platformat e vendit të origjinës. Disa komentues shqiptarë të mërgatës, duke u paragjykuar dhe stereotipizuar në shoqëritë pritëse, kompleksin e inferioritetit me pjesëtarët e shoqërisë pritëse, e kompensojnë me fyerje në komente. Shpartallohen, ofendojnë dhe mbesin larg të kuptuarit të një teksti, me dashje, ose edhe pavetëdijshëm, shprehin revoltën ndaj shoqërisë pritëse, krejt diku tjetër. Disa komentues shqiptarë në mërgim, kanë braktisur herët studimet në vendlindje, janë angazhuar drejt e në punë në vendin pritës, duke e kaluar kohën e tyre në banesa, ose gjatë pauzës së punës, me komente kinse satirike e për argëtim. Ose varet nga profesioni: një punonjës sigurimi jashtë atdheut, ka kohë edhe për të kaluar në “skroll” dhe e çon natën duke fyer me komente. Bëhet shok me dikë në rrjetet sociale, duke komentuar, pasi një koment mund të bëhet shkas për socializim. Komentuesit komentojnë edhe për shkak të socializimit në botën virtuale, nga rritja e vetmisë jashtë vendit.
16. Shpesh kemi komentues që nuk lexojnë kurrë libra, literaturë shkencore dhe shpesh nuk arrijnë dot as ta kuptojnë një tekst. Mungesa e leximit sistematik, e referencave të duhura, i bën të mos kuptojnë saktë as fjalët, nocionet, konceptet e përdorura në një shkrim. Është rritur tejmase mungesa e të kuptuarit, keqkuptimi, keqleximi, dekontekstualizimi.
17. Më lehtë është të komentosh, ndërsa të shkruash një artikull kërkon një njohje tjetër, disiplinë tjetër, kreativitet tjetër dhe guxim unik për t’u përballur me masat e gjera.
18. Dëshira për të konfirmuar skemat e tyre ekzistuese, botëkuptimet, bindjet. Komentuesit duan që një paragjykim që kanë, një bindje që kanë, të mos e ndryshojnë. Parapëlqejnë shkruesit që ua konfirmojnë bindjet e tyre, e jo që ua sfidon pikëpamjet ekzistuese. Tashmë janë të rreshtuar si militantë partiakë, si fundamentalistë fetarë, si konspirativë si supersticiozëetj.
19. Kam një hipotezë që, me rritjen e nivelit të edukimit, shtohen gjasat për dëshirën për të komentuar kudo, dhe anasjelltas. Më pak gjejnë kohë, më pak kanë dëshirë, të komentojnë të mirëarsimuarit, se sa të arsimuarit më dobët. Gjasat rriten për komentime, sa më pak ka arsimim. Ka disa raste kur edhe komentuesit e mirëarsimuar komentojnë, por shumë më rrallë, krahasuar me komentuesit me sfond të dobët arsimimi.Komentuesit e mirëedukuar, qofshin brenda, qofshin jashtë vendit, janë më të rezervuar në komentime, komentojnë më rrallë, më pak dhe kur komentojnë, janë më të arsyeshëm. Jo çdo komentues s’ka të drejtë, madje mund ta ketë më të drejtë se vetë autori i shkrimit.
20. Ndonjëherë komentimi nxitet nga njohja e komentuesve me autorin e tekstit. Kryesisht dominojnë komentet pozitive, i kundërvihen komentuesve të tjerë nëse fyejnë autorin dhe duan të shprehin mirënjohje dhe përkatësifamiljare e sociale me shkruesin./radiostar/