Shkruan: Avni Rudaku
Asdren Toska është doktor i marketingut, koleksionar valutash të larmishme, ndërmarrës i fuqishëm dhe një udhëtar i pasionuar, duke vizituar pjesën më të madhe të shteteve të Evropës, vende afrikane, Ishujt Maldive etj. Pas udhëtimit në Andora, ofroi fakte kokëforta se pavarësisht kryeqytetit të mikroshtetit Andora, që ka katër herë më pak banorë se Gjilani, por ka transport publik. Ja dhjetëra arsye pse duhet të ketë patjetër transport publik në Gjilan:
1. Qytetarët mund të kenë mundësi për të udhëtuar pa makina private.
2. Ndihmon në uljen e trafikut dhe kufizimin e ndotjes së ajrit.
3. Lehtëson qasjen në punë dhe arsim për ata/ato pa mjet privat, p.sh., punëtorët nga Dardania 1 e lagjet tjera, shkojnë në punë te HIB Petrol, Astoria etj.
4. Siguron lëvizshmëri për të moshuarit dhe ata pa aftësi të drejtojnë mjetin motorik.
5. Ndihmon në uljen e stresit dhe çmimeve mjaft të shtrenjta në Gjilan, për parking.
6. Kontribuon në reduktimin e mobilitetit në trafikun rrugor e kolona, sidomos gjatë verës.
7. Mbështet turizmin dhe industrinë lokale.
8. Ofron mundësi për udhëtime të shpejta dhe të rehatshme.
9. Lehtëson nevojën për t’u parkuar në qendër.
10. Lehtëson qasjen në shërbime të rëndësishme shëndetësore si ambulanca, Spitalin Rajonal të Gjilanit, dhe arsimore, si shkolla e për në Universitetin e Gjilanit.
11. Redukton nevojën që edhe një bashkëshort e bashkëshorte të së njëjtës familje për shkak të orarit të njëjtë të punës, të kenë dy vetura nga e njëjta familje.
12. Nuk ka nevojë fëmijët në shkollë, t’i shkëpusin prindërit nga puna, e t’i çojnë domosdo në shkolla.
13. Siguron alternativë të sigurt dhe të rehatshme për udhëtimet e natës.
14. Lehtëson nevojën për blerjen dhe mirëmbajtjen e një mjeti privat.
15. Mundëson qasje të përshtatshme në zonat e kufizuara për automjete.
16. Rrit nivelin e përdorimit të hapësirës publike.
17. Ndihmon në kohezionin social e përkatësinë e përbashkët ndaj Gjilanit, duke u bërë bashkë udhëtarët në një mjet të përbashkët transporti publik, qoftë edhe me ndërveprim të papërqendruar.
18. Ofron mundësi të shumta për bizneset dhe tregtinë në qytet.
19. Ndihmon në uljen e varësisë nga nafta, gazi dhe benzina.
20. Siguron qasje të barabartë për të gjithë qytetarët, pavarësisht statusit ekonomik ose mjedisit të tyre shoqëror.
21. I jep karakter urban Gjilanit.
22. Edukon publikun për ndërveprim në hapësirë publike.
23. Lidhen lagjet e Gjilanit dhe banorët mes vete.
24. Ka vetura më shumë në garazhe e më pak nga përtesa për t’i futur në garazhe, duke i lënë para shtëpisë së tyre.
25. Krijon trotuare më të lira nga keqparkimet e vazhdueshme, si te shkolla fillore “Selami Hallaçi”.
E shumë arsye të tjera që mund t’i rendis.