Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO e bën sigurinë më të plotë në Ballkan.
Haradinaj ka uruar Shqipërinë me rastin e hapjes së bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë.
“Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë të Shqipërisë, që është hapur sot, është bazë e sigurisë rajonale të Ballkanit. Sa më afër NATO-s, jemi më të lirë e më të sigurt, por anëtarësimi i plotë i Kosovës në këtë Aleancë sigurinë do ta bënte më të plotë”, tha Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se qeveria “Kurti” ka dalë nga kontrata politike me udhëheqësit e NATO-s.
“E përgëzoj Shqipërinë për rreshtimin e saj të natyrshëm në këtë Aleancë, por nuk mund të mos shpreh indinjatën time të thellë për qeverinë e Albin Kurtit, e cila po e turpëron Kosovën duke dalë nga kontrata politike me udhëheqësit e NATO-s”, është shprehur Haradinaj.