Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në bashkëpunim me Kuvendin Komunal, organizatat joqeveritare dhe familjet e dëshmorëve, është hapur Java e Gruas me moton “Ne për Ato”.
Nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina – Bunjaku, ka bërë të ditur se në kuadër të Javës së Gruas janë paraparë të mbahen një sërë aktivitetesh të ndryshme katër ditore, të cilat do të kulmojnë më 8 mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
“Në emër të kryetarit Hyseni u bëjmë thirrje të gjithëve që të na bashkoheni për një shoqëri të drejtë dhe të barabartë gjatë tërë vitit, e në veçanti gjatë Javës së Gruas”, është shprehur nënkryetarja Morina – Bunjaku.
Ndërkaq, deputetja e Kuvendit të Republikës, Arijeta Rexhepi, ka thënë se do të jenë në përkrahje të aktiviteteve të ndryshme gjatë fushatës “Ne për Ato”, te organizuara nga Komuna e Gjilanit.
“Në përkrahje të vajzave dhe grave kemi qenë gjithmonë, kemi bërë politika të ndryshme ku kemi prekur gruan dhe vajzën, e njëkohësisht edhe familjen dhe do të jemi gjithmonë afër tyre, me qëllim që të arrijmë te secila familje, që të mbrojmë gruan dhe vajzën kudo në Kosovë”, tha Rexhepi.
Përndryshe, në kuadër të Javës së Gruas, Komuna e Gjilanit ka paraparë mbajtjen e këtyre aktiviteteve:
5 mars 2024
9:00 – Homazhe te varrezat e dëshmorëve për nder të Epopesë së UÇK-së
10:00 – Vizitë kazermës së FSK-së
11:00 – Vizitë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, reparti i Gjinekologjisë
11:30 – Dhurimi i gjakut, reparti i Transfuzionit të Gjakut
12:00 – Homazhe te busti i Nushit dhe Tefikut, lagjja Dardania
6 mars
10:00 – Tryezë diskutimi me gratë ndërmarrëse “Pavarësia financiare sjell barazi”
12:00 – Vizitë në bizneset e grave ndërmarrëse
7 mars
16:30 – Manifestimi 7 marsi, dita e mësuesit
8 mars
10:00 – Seanca solemne për nder të gruas
11:00 – Ekspozitë në Galerinë e Arteve