Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, përmes një reagimi në platformën sociale, Facebook, është shprehur i shqetësuar për ftesën që Prokuroria i ka dërguar kryeredaktorit të mediumit Albanian Post, Lirim Mehmetaj, për veprën penale “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim të madh njoftimin nga gazetari i Albanian Post, Lirim Mehmetaj, për thirrjen që i është bërë si i pandehur nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim fillimisht.
Një thirrje të tillë, AGK e ka cilësuar si alarm për një shoqëri demokratike, siç pretendon të jetë Kosovë.
“AGK-ja, do të kërkojë informacionet zyrtare dhe do ta ndjekë nga afër të enjten këtë zhvillim të pashembullt të sistemit të drejtësisë në Kosovë”.
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, kishte akuzuar partitë opozitare për mos-votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, por gjatë kësaj kritike ai kishte ofenduar qytetarët nga rajoni i Drenicës.
Duke përmendur marrëveshje ndërkombëtare që parasheh përmirësimin e rrjetit të ngrohjes në Prishtinë, ai kishte përmendur deputetët e PDK-së me prejardhje nga Drenica.
Ai kishte thënë se ata nga Drenica kanë dalë në Prishtinë dhe nuk po e votojnë marrëveshjet, ndërsa dimrit kërkojnë të nxehen.
Për këtë, Mehmetaj e kishte quajtur “fashist” deputetin Basha, i cili më pastaj kishte paditur gazetarin.