Një 69-vjeçar nga Ferizaj ka vdekur pasditen e së martës, pasi dyshohet se ka rënë në lumin Morava, në afërsi të pikës Kufitare “Dheu i Bardhë”.
Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka thënë viktima është nxjerrë pa shenja jete nga lumi, ndërkaq mjeku kujdestar ka konstatuar se i njëjti nuk ka pasur plagë përveç disa gërvishtjeve të vogla.
“PKK Dheu i Bardhë 05.03.2024 – 15:50. Është raportuar se një mashkull kosovar derisa ka qenë buzë lumit Morava ka rënë në lum. Viktima është nxjerrë pa shenja jete nga lumi. Sipas mjekut në trupin e viktimës nuk vërehet ndonjë plagë përveç disa gërvishtjeve të vogla që dyshohet se janë shkaktuar gjatë bartjes nga uji”, thuhet në raportin policor.
Më shumë detaje për këtë rast ka dhënë mbrëmë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Ai tha se viktima së bashku me fëmijët e tij ishin nisur me veturë në drejtim të pikës kufitare “Dheu i Bardhë”. Në afërsi të parkingut afër pikës kufitare viktima është afruar afër lumit dhe dyshohet se ai aksidentalisht ka rënë në lumë
“Sipas informatave të para, i ndjeri së bashku me fëmijët e tij (djalin dhe vajzën) me veturë ishin nisur në drejtim të pikës kufitare ‘Dheu i Bardhë’. Në afërsi të parkingut afër pikës kufitare viktima është afruar afër lumit dhe dyshohet se ai aksidentalisht ka rënë në lumë. Janë njoftuar të gjitha njësitë përkatëse të cilat janë marrë me rastin”, ka thënë Hashani për gazetën online Reporteri.net.
Në rrjetet sociale janë publikuar edhe pamje nga momenti kur trupi i pajetë i viktimës është gjetur në lumin Morava.