OJQ “Islamic Relief”, përfaqësuar nga koordinatori për Gjilan, Dardan Veseli, ka shpërndarë 303 pako ushqimore për fëmijët jetimë, përfitues të skemës sociale, si dhe kategori të tjera në nevojë të komunës së Gjilanit.
Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjilan, Doruntina Hasani, ndër të tjerash shprehu mirënjohje për kontributin e çmuar të organizatës dhe aktivistëve të saj, për zbutjen e varfërisë dhe ndihmesën e vazhdueshme që ofron për qytetarët e Gjilanit.
“Mbesim në dispozicionin e organizatës, me të gjitha kapacitetet tona, për bashkëpunimet e radhës”, u shpreh Hasani.
Koordinatori i “Islamic Relief”, Dardan Veseli, tha që punët e mira nuk bëhen vetëm.
“Falenderojmë Zotin që qyteti ynë ka pasur dhe do të ketë njerëz që ndihmojnë dhe janë gjithmonë të gatshëm për të vepruar për të mirën e përgjithshme. Falenderojmë ekipin e Drejtorisë së Shëndetësisë për gatishmërinë e vazhdueshme për të ndryshuar gjendjen aktuale, duke synuar më të mirën për qytetarët e Gjilanit”, deklaroi Veseli.