Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka uruar të gjithë mësimdhënësit në ditën e tyre.
Teksa ka falënderuar për punën dhe përkushtimin e tyre, Nagavci ka shkruar se Ministria e Arsimit e ka prioritet të përmirësojnë cilësinë e arsimit, kështu duke rregulluar infrastrukturën ligjore dhe fizike.
“Të dashur mësimdhënës, Urime Dita e mësuesit! Në këtë ditë të rëndësishme, ju falenderoj për punën dhe përkushtimin tuaj në arsimimin e brezave të rinj. Roli juaj në procesin edukativo-arsimor është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë. Prioriteti ynë si Ministri e Arsimit është të përmirësojmë cilësinë në arsim, duke rregulluar infrastrukturën ligjore dhe fizike. Mirënjohje pa fund për të gjithë mësimdhënësit për kontributin e çmuar të tyre në formësimin e të ardhmes sonë”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Më tej, ajo ka shkruar se janë duke punuar në shumë drejtime për të avancuar pozitën e mësimdhënësit dhe për të ofruar kushte e politika arsimore që garantojnë mësimdhënie dhe mësimnxënie cilësore.
“Mirënjohje pa fund për të gjithë mësimdhënësit për kontributin e çmuar të tyre në formësimin e të ardhmes sonë”, thuhet tutje./teve1.info/.