Kuvendi komunal i Gjilanit, kishte parapa të mbajë seancën e ndërprer në muajin e kaluar dhe kjo kishte ndodhur për shkak që nuk kishte transmetim të seancës shkruan Radio Star.
PDK ka reagur përmes një komunikate në ‘Facebook’, duke thënë se Opozita në Gjilan do të bëjë punën që nuk i takon dhe do të gjejë formën për ta siguruar transmetimin e seancave të Kuvendit Komunal.
REAGIM PUBLIK
Edhe në kohë lufte ka pas transmetim dhe informim të qytetarëve përmes radio ‘Kosova e Lirë’, ndërsa 26 vite pas qeverisja e VV-së në Gjilan e ndalon transmetimin e seancave të Kuvendit Komunal.
Tentimi i VV-së për ta penguar transparencën e punës së institucionit më të lartë nuk do të kalojë. Opozita në Gjilan do të bëjë punën që nuk i takon dhe do të gjejë formën për ta siguruar transmetimin e seancave të Kuvendit Komunal, për informim të drejtë të qytetarëve tanë dhe jo përmes propagandës së këtij pushteti. Terrin informativ dhe mos transparencën e qeverisjes së VV-së ne do ta zhbëjmë.
Dështimi dy herë radhazi i mbajtjes së seancave të Kuvendit Komunal është i qëllimshëm dhe lojë e Kryetarit të Komunës. Ai ka penguar nisjen procedurave të kontraktimit për transmetim të seancave të KK-së edhe pse e ka ditur me kohë për përfundimin e kontratës me operatorin e deritanishëm ekonomik.
Komuna e Gjilanit edhe ashtu ka marrë vlerësimin më të dobët në histori, për mos transparencë të qeverisjes komunale, e këtë nuk do ta lejojmë të bartet edhe në punën e Kuvendit Komunal, rrjedhimisht në legjislativ.
PDK përherë ka qenë dhe do të mbetet pro fjalës së lirë publike! Fundja fjala e lirë është themeli i çdo shoqërie demokratike.