Ambasadori i Serbisë në ShBA, Marko Gjuriq, ka reaguar pas publikimit të fotografisë, ku ai shihet bashkë me Millan Radoiçiqin, i cili kërkohet nga INTERPOL-i, pasi që ka marrë përgjegjësinë për sulmin e 24 shtator në Zveçan.
Fotografia e Gjuriqit me Radoiçiqin ishte publikuar në rrjete sociale, por nuk është bërë e ditur se kur është shkrepur.
Gjuriq në rrjete sociale ka shkruar se nuk e ka ndërmend t’i kërkojë falje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit e as ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Do të isha i zhgënjyer nëse nuk do të niste një fushatë negative me rastin e rikthimit tim të fundit. Edhe nëse do të ishte shumë e zbehtë ajo. Nuk e kam ndërmend t’i kërkoj falje Kurtit e Sveçlës, e njerëzve tjerë keqdashës për asgjë. Nuk i kam fshehur dhe as nuk jam turpëruar asnjëherë për kontaktet publike që kam në punën që bëj. Përveç përfaqësuesve të ndryshëm serbë me të cilët kam kontakte të rregullta dhe më pëlqen të takohem edhe sot e kësaj dite, unë jam takuar shumë herë, në kuadër të punës sime, edhe me udhëheqës të shumtë shqiptarë, të cilët janë akuzuar nga drejtësia vendase dhe ndërkombëtare për krime të papërshkrueshme lufte ndaj popullit tim. Kjo ka qenë gjithmonë pakrahasueshëm e vështirë për mua personalisht. Si dhe takimet që kam pasur me etnonacionalistët Kurti e Sveçla, që brutalisht u shkelin të drejtat elementare serbëve në Kosovë dhe M. dhe kanë gjak të pafajshëm në duart e tyre”, ka shkruar Gjuriq në platformën “X”.
Ndërkohë, politikani serb Nikola Sanduloviq, mbrëmë kishte postuar foto të Gjuriqit me Radoiçiqin dhe e ka pyetur Bashkimin Evropian e ShBA-në, se si është reagimi i tyre ndaj kësaj.
“A mundeni ju, Miroslav Lajçak, Josep Borrell, Richard Grenell e Gabriel Escobar të përshkruani këtë foto? A keni thënë ju ambasador Hill se Serbia kurrë nuk ka pasur ambasador më të mirë në SHBA sesa Marko Gjuriqin? Ambasadori serb në SHBA, Gjuriq, që pritet të bëhet kryeministër i ardhshëm i Serbisë, është parë duke darkuar me të kërkuarin nga Interpoli dhe ta sanksionuarin nga SHBA-ja, Milan Radoiçiq, një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ishte prapa sulmit në Banjskë ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës. Cili do të jetë reagimi i SHBA-së dhe BE-së ndaj kësaj dëshmie të qartë të lidhjes mes një krimineli të kërkuar nga Interpoli e një terroristi si Radoiçiq, me elitën e qeverisë serbe?” – ka pyetur Sanduloviq, i cili ishte rrahur brutalisht nga policia serbe, pasi kishte bërë homazhe te varret e Jasharajve në Prekaz.