Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Thimi Mitko” në Gjilan, ka shënuar sot ditën e themelimit të saj duke e hapur festën me promovimin e himnit të shkollës të përgatitur nga kolektivi dhe nxënësit e saj dhe duke e bërë këtë shkollë në mesin e shkollave ndër të parat që tashmë ka himnin e saj.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, përmes një telegrami të urimit, ka përshëndetur këtë ditë feste për shkollën duke dërguar edhe mesazhin që ka kërkuar nga nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit që të merren edhe më shumë me fëmijët që ata të jenë të përgatitur mirë për të ardhmen dhe zhvillimin e vendit.
Haziri në letrën e tij nuk ka lënë pa përmendur edhe rolin vendimtarë të dëshmorëve, heronjve e të rënëve për liri, por edhe rilindësve të cilët ishin ata që e bënë arsimin shqip, që sipas tij këtë rrugë duhet ta vazhdojmë bashkërisht për suksese e cilësi në arsim në përgjithësi.
Kurse, drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, ka uruar të gjithë për ditën e shkollës dhe për himnin duke potencuar se Gjilani ka aktivitete të ngjeshura, ka rezultate konkrete dhe është gjithmonë e fuqishme në gara dhe përfaqësime të ndryshme.
Ai tha se do të punohet me përkushtim për ngritjen e cilësisë në arsim, duke falënderuar kryetarin Haziri që këtë sektor e ka vendosur si prioritetin e parë të qeverisjes.
Drejtoresha e shkollës, Fitore Malaj, ka thënë se puna që bëhet aty është e jashtëzakonshme dhe gjithmonë, sipas saj, ka ngritje të sukseseve e të cilësisë.
Ajo ka potencuar faktin se në shumë fusha janë në mesin e të parëve edhe në gara e përfaqësime të ndryshme, që janë arritur falë punës së palodhshme të trekëndëshit mësimdhënës-nxënës-prindër.