Partia Demokratike e Kosovës në Gjilan, ka reaguar përmes një komunikate për media, ka numëruar disa skandale në NPL “Tregu” shkruan Radio Star.
Më tutje në komunikatë thuhet se në këto skandale është i përfshirë edhe kryetari i Gjilanit me disa nga drejtorët komunal, të cilët kanë transferuar buxhet nga komuna në llogari të ndërmarrjes Tregu.
REAGIM PUBLIK
🔴 Vazhdojnë skandalet në ndërmarrjen “Tregu” në Gjilan, shpenzohen mbi 200 mijë euro pa procedura të prokurimit.
Ligji i prokurimit nuk po vlen për ndërmarrjen publike lokale “Tregu”, aty po bëhen pazare private dhe nuk po zbatohen fare procedurat e tenderimit, konkurencës dhe transparencës.
Shkelja flagrante e ligjit të prokurimit në këtë kompani ka nisur me skandalin e blerjes së kamionit në Gjermani në vlerë prej 50 mijë euro, drejtëpërdrejtë nga ana e kryetarit të komunës së Gjilanit Alban Hyseni, pa asnjë procedurë dhe kriter të këtij ligji.
Ndërkohë kanë vazhduar skandalet tjera aty, ku janë shpenzuar mbi 150 mijë euro pa procedura të prokurimit, si:
1. Rregullimi i pesë zyreve nën çati të objektit të ndërmarrjes Tregu
2. Rregullimi i rrethojave metalike
3. Rregullimi i hapësirës te pemtë dhe perimet, vendosja e konstruksionit metalik me xhama dhe mekanizëm lëvizës
4. Blerja e 3 kontejnerëve (për zyre) në vlerë prej rreth 15 mijë euro
5. Furnizimi dhe montimi i laurave (rampave) në hyrje/dalje të parkingut të tregut.
Në këto shkelje dhe skandale është i përfshirë edhe kryetari i Gjilanit me disa nga drejtorët komunal, të cilët kanë transferuar buxhet nga komuna në llogari të ndërmarrjes Tregu, e ku më pastaj menaxhmenti i tregut ka vepruar sipas urdhërave të Alban Hysenit.
Ligji nr. 04/L-042 për prokurim publik e saktëson shumë qartë se të gjitha ndërmarrjet publike për çdo furnizim dhe shërbim, janë të detyruara dhe obliguara të zhvillojnë procedurat e tenderimit.
Anarkia aty duhet të ndalet menjëherë, andaj PDK kërkon urgjentisht nga bordi i kësaj ndërmarrje që konform përgjegjësive dhe kompetencave të merr masa të menjëhershme për të ndaluar vazhdimin e pazareve private të kryetarit të komunës në bashkëveprim me kryeshefin e kësaj kompanie.
Ftojmë publikisht organet e hetuesisë që të merren me të gjitha këto raste dhe raste tjera, ku janë bërë shkelje të rënda të ligjit të prokurimit, e që sigurisht i cilësojmë si vepra penale.
Përveç kësaj, PDK e vlerëson të qëllimshme funksionimin e kësaj ndërmarrje pa juristë dhe financier, duke mos emëruar zyrtarë të përkohshëm deri në shpalljen dhe zhvillimin e procedurave të konkursit për këto pozita jetike të kësaj ndërmarrje.
Në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal duhet të raportohet me prioritet për punën vjetore dhe financiare të kësaj kompanie për vitin 2023, e cila nuk po i njeh ligjet e Republikës së Kosovës.