Për punime shtesë në Autostradën e Gjilanit, në segmentin nga Banulla në Bresalc, Ministria e Infrastrukturës ka dhënë sot një kontratë të re.
Kontrata, e cila peshon 685 mijë euro, është lidhur përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, raporton Paparaci.
Përfituese e tenderit është kompania “N.N.SH Ndërtimtari”, një kompani ndërtimore me bazë në Skenderaj.
Sipas Dosjes së Tenderit, kontrata është lidhur me qëllim të kryerjes së punëve shtesë në ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit, kryqëzimi me disnivel Banullë-Dheu i Bardhë.
“Pune shtese-Ndërtimit i Autoudhës A7.1-Kryqëzimi me disnivel A6 A7.1 (Banullë) –Dheu i Bardhë, pjesa kryqëzimi në disnivel A6 A7.1 (Banullë) – Udhëkryqi Bresalc, L=22.31km.,Lot 3”, thuhet në përshkrimin e kontratës.
Autostrada Prishtinë – Gjilan ka filluar të ndërtohet në muajin prill të vitit 2018.
Gjatësia e kësaj autostrade është 22.6 kilometra dhe parashihej të përfundonte brenda 30 muajsh, apo në fund të vitit 2020.
Megjithatë, problemet me shpronësime e kanë shtyrë shumë afatin e përfundimit të autostradës.
Në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës për vitin 2023, ishte marrë vendim për shpronësimin e disa prej parcelave shtesë në mënyrë që të përfundohet projekti sa më parë.
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se punimet në autostradë priten të finalizohen këtë vit. /Paparaci.com