FC Drita është skuadra që do të përfaqësojë Kosovën në para-kualifikueset e Ligës së Kampionëve.
Gjilanasit të dielën mbrëma festuan titullin e kampionit të Kosovës, të dytin në historinë e tyre, duke kthyer këtë trofe pas 15-të vitesh në Gjilan.
Skuadra e Dritës tashmë është duke menduar për paraqitjet në para-kualifikueset e ligës më të fortë në Kontinentin e Vjetër, Liga e Kampionëve.
Trajneri i “bardhekaltërve” te Gjilanit, Bekim Isufi mendon se skuadrës së tij i duhen disa përforcime në mënyrë që Drita të ketë paraqitje dinjitoze në elitën e futbollit evropian, por sipas tij, edhe për edicionin e ri në Kosovë.
Isufi në një prononcim për RTKLive, ka thënë se brenda pak ditësh, do të vendoset për përforcimet e mundshme të kësaj vere.
“Brenda dy ose tri ditëve do të ulem me kryesinë e klubit, ku edhe do të bisedohet për përforcimet e mundshme. Sigurisht se kemi nevoje për disa përforcime, por bashkë më kryesinë e klubit do të vendosim për këtë çështje”, ka thënë Isufi.
“Na duhen përforcime për Champions, por edhe për kampionatin e ardhshëm. Do ta shohim tregun sesi do të rrjedhin gjerat”, ka theksuar tekniku gjilanas.
Isufi nuk e ka përjashtuar mundësinë që përforcime të ketë edhe nga jashtë.