Një muaj më parë në palestrën “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan, një ndeshje e volejbollit mblodhi më shumë se 3.000 shikues. Bëhej fjalë për një ndeshje vendore, ndërmjet volejbollisteve të Dritës dhe Skënderajt.
Në të njëjtën palestër të mërkurën pasdite u luajt një ndeshje tjetër volejbolli. Ishte ndeshje ndërkombëtare. U përballën volejbollistët e përfaqësueses së Kosovës me volejbollistët më të mirë të Austrisë, përkatësisht me përfaqësuesen e këtij vendi. Në palestër ishin gjithsej dhjetëra shikues, zyrtarisht u tha se ishin 50, shkruan sot Koha Ditore.
Në ndeshjen me 3.000 shikues, skuadra lokale, Drita fitoi ndaj Skënderajt dhe iu gëzua titullit. Në ndeshjen me 50 shikues, Kosova bëri fare pak rezistencë. Për gjithsej 66 minuta lojë, pësoi 3:0 nga Austria. Në setin e parë mori 18 pikë, seti i dytë përfundoi 25:12, ndërsa i treti 25:17.
Në mbrëmjen e së mërkurës u luajt edhe ndeshja mes volejbollisteve të Kosovës dhe atyre të Suedisë. Prezentë në atë ndeshje ishin qindra shikues, ndërsa zyrtarisht u raportua për 600 të tillë./koha/