Nën patronatin e Kryetarit të Komunës, Kadri Rahimaj, është mbajtur Akademi Përkujtimore për të përkujtuar 4 vjetorin e vdekjes së dëshmorit Shefik Beqiri, i njohur si Komandant Dardani.
Në këtë akademi morën pjesë: Kryetari i Komunës së Kmenicës Kadri Rahimaj, Zëvendësministri i Mbrojtjes z.Shemsi Syla, ish-Komandantët Ahmet Isufi e Adem Shehu, përfaqësuesi i OVL-UÇK-së Milaim Limoni, familjarë, bashkëluftetarë e miq të Komandantit.
Kryetari Rahimaj, në këtë akademi vlerësoi lartë veprën dhe jetën e Komandant Shefik Beqirit.
“Kam takuar shumë njerëz, me profesione të ndryshme, por asnjëherë nuk kam takuar një njeri me parime të pathyeshme si Komandant Beqiri. Ai nuk bënte kompromise ne qëndrimet dhe mënyrën se si mendonte, ai reflektonte atë se patriotizmi është përkushtim i thellë. Shenjat që Komantant Beqiri la në këtë botë janë udhrrëfyes për shumë të rinjë e të reja. Shefiku ishte udhëheqës i rrallë e udhërrëfyes për të gjithë ne. Ai udhëheqi me guxim brigadën 172 “Isa Kastrati”, dhe kontributi i tij nuk përfundoi me luftën, por edhe pas çlirimit të vendit ai u angazhua në Trupat Mbrojtëse të Kosovë për të shërbyer tutje popullit, dhe shtetit të tij edhe në kohë lirie. Ai ishte i pathyeshëm, i qetë, trim dhe i rrallë. Një njeri me tipare të tilla nuk mposhtet asnjeherë”-tha Kryetari Rahimaj.
Në këtë akdemi, bashkëluftëtari i Komandant Shefikut, Ali Hoxha, përkujtoi me mall atë, duke thënë se sot po mbahet akademi në përkujtim të vdekjes së tij por akoma mbetet në kujtesë me pikëllim vdekja e tij para 4 viteve.
“Sot kemi edhe dhimbje edhe krenari pasi që po e shpalosim portretin e një prej komandantëve më fisnik të Kosovës. Ai emrin e kishte UÇK dhe mbiemrin liri e Kosovës. Ai ishte i heshtur po guximtar me ideal të vendosur për lirinë e vendit të tij”, tha ai.
Ish Komandanti Ahmet Isufi në këtë akademi shpalosi me krenari guximin e Komandant Shefik Beqirit për të luftuar për lirinë e vendit.
“Sot kur mbushen 4 vjet nga shkuarja në amëshim kujtojmë e nderojmë Komandant Shefik Beqiri-Komandant Dardani. Ai ishte vazhdues i rrugës së shumë idealistëve që ishin mëshiruar në përpjekjen për liri e pavarësi. Ai ishte i rreshtuar me ata që sakrificën e kanë pjesë të qenies së tyre. Ai ishte i vetëdijshëm se çfarë rruge kishte marr per ta çuar misionin në vend, i bindur vetëm në fitore. Ndihemi krenar që kishim në krah luftëtar trima si Komandant Dardani, që ishin të gatshëm ta jepnin jetën për lirinë e vendit. Ai ishte luftëtar heroik e besnik i lirisë dhe misionar e pragmatik i paqes”, ishin fjalët e ish komandant Ahmet Isufit.
Zv.ministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, në fjalën e tij në këtë akdemi tha se sot janë mbledhur për të përkujtuar një shok të dashur, një bashkëluftëtar, dhe një komandanti të suksesshëm të kombit tonë.
“Komandant Dardani ishte njeri aq i drejtë me një përcetim dhe thjeshtësi duke kërkuar që vlerat e luftë të përceptohen drejt. Ai karakterizohet njeri me qëndrim të prerë në parime të theksuara. Ai u nda heret nga ne, por fryma dhe puna e tij theksohet ende. Unë shoh në ushtrin e tanishme frymën, ecjen dhe parimet e Dardanit, ashtu siç eshte duke shkuar djali i tij asaj rruge. Ai eci me vlerat e së kaluarë drejt finalizimit të një ushtrije të mirëfilltë, që sot garanton sigurimin e lirisë që i kontribuoi shume Dardani”, është shprehur zv.ministri Syla.
Komandanti i brigades 153 nga Shqiperia Adem Shehu, i emocionuar ka thënë se kontributi në luftë për vendn, duhet të vazhdojë edhe në paqe, sepse dallimet politike duhet lënë anash kur vie fjala për vendin.
Edhe Kryetari i OVL-UÇK-së Milaim Limoni, ka vlerësuar lartë kontributin e Komandant Dardanit, duke thënë se vepra e tij duhet të mbetet udhërrëfyes për punët e mira.
Kurse djali i Komandantit Taulant Beqiri ka falënderuar Komunën e Kamenicës për organizimin e Akademisë.