Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Sllovenisë, Robert Golob, në Bruksel.
Në takim, përpos temës së luftës Rusi-Ukrainë dhe situatën në Gaza, është folur edhe për Ballkanin Perëndimor.
Në këtë kontekst, kryeministri slloven ka thënë se mund të dërgohen trupa shtesë në KFOR.
“Kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, Sllovenia është absolutisht dhe vitalisht e interesuar në ruajtjen e stabilitetit të rajonit. Jo vetëm për shkak të afërsisë, por sepse kjo është pjesa e poshtme e Evropës, nëse doni ta quani kështu, ku mund të shohim, në vitet e fundit shihet se jostabiliteti është në rritje, në këtë drejtim shprehëm interesimin tonë për të siguruar më shumë trupa edhe në KFOR, për të dërguar më shumë personel në Kosovë për të ndihmuar NATO-n, por edhe më së shumti për të ndihmuar autoritetet lokale për të ruajtur paqen”, ka thënë Golob, raporton AP.
Stoltenbergu e falënderoi Slloveninë për kontributin e saj në NATO.
“Mirëpres kontributet që Sllovenia ka dhënë tashmë, duke përfshirë ndihmën ushtarake dhe të sigurisë dhe mirëpritjen e refugjatëve ukrainas”, u shpreh shefi i NATO-s.