Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se djegia e fëmijëve të Kosovës për së gjalli, është e vërteta e Serbisë.
Këto deklarime ajo i bëri në përkujtim të 25-vjetorit të Masakrës në shtëpinë e familjes Vejsa në Gjakovë.
Osmani theksoi se emrat e fëmijëve dhe grave martire të familjeve Vejsa, Caka, Haxhiavdija, Nuqi, Hoxha dhe Gashi, janë kujtim i përhershëm dhe dëshmojnë rrugën e vështirë të aspiratave të Kosovës për liri e shtet.
“25-vjet më parë, regjimi gjenocidal serb, egërsinë e manifestoi kur vrau e pastaj dogji në bodrumin e shtëpisë së familjes Vejsa anëtarët e këtyre familjeve nga mosha 2 e deri në atë 75 vjeçe”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes.
E para e shtetit, shtoi se do ta vazhdojë betejën për drejtësi.