Sot, do të zhvillohen ndeshjet e parë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll.
Të dyja ndeshjet pritet të jenë interesante, pasi të katër skuadrat synojnë trofeun e kësaj gare, i cili garanton pjesëmarrjen në Evropë për edicionin e ri.
Megjithatë, dueli më interesant gjysmëfinal, do të jetë ai që zhvillohet në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. Prej orës 15:00, Prishtina e pret skuadrën e Dritës, përpara duelit të kthimit që luhet pas dy javësh në Gjilan. Prishtina është fituese në fuqi e këtij trofeu dhe suksesin në Kupë e sheh si rrugën e vetme për të siguruar pjesëmarrjen në garat e UEFA-s.
Në kampionat, Prishtina është e pesta në tabelë me 39 pikë dhe Kupa shihet si rruga më e shkurtër për të suksesi për ekipin e trajnerit Emanuel Egbo. Po ashtu, te Prishtina janë të vendosur për ta mbrojtur këtë trofe, sidomos pas triumfit në Superkupë pasi duan që edicionin ta mbyllin me dy prej tre trofeve që i ofron futbolli kosovar.
Në anën tjetër, Drita është e treta në tabelë dhe krahas Kupës është në garë edhe për titullin e kampionit. Ka 51 pikë, tri më pak se Llapi që është lider dhe më të cilin do të përballet këtë vikend në Podujevë.
Gjysmëfinalja tjetër, e cila po ashtu nis në orën 15:00, do të luhet në qytetin e Suharekës. Kampioni në fuqi, Ballkani do të ketë punë me rivalin lokal, Suharekën, ekip që është vendas në duelin e parë.
Suhareka është ekipi i vetëm nga Liga e Parë në gjysmëfinale të Kupës, ndërsa është lider Grupit A. Në anën tjetër, Ballkani xhiron e fundit e humbi pozitën e parë në Superligë dhe aktualisht është i dyti në tabelë me një pikë më pak se Llapi.
Krahas garës për ta mbrojtur titullin e kampionit, Ballkanin synon triumfin edhe në Kupën e Kosovës, duke pasur parasysh se ku është trofeu që i mungon.