Si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Ferizaj, mesditën e kësaj të premte, është vrarë një grua.
Rasti ka ndodhur në Qendrën për Punë Sociale, ndërsa vdekja e saj është konfirmuar në vendngjarje nga mjekët kujdestarë, transmeton klankosova.tv.
Këtë për klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Nga këto të shtëna i plagosur ka mbetur edhe një person mashkull.
I njëjti është dërguar për trajtim në Qendrën Emergjente në Ferizaj.
Raporti policor:
Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 kemi pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri .
Për pasojë nga të shtënat e armës së zjarrit një person e gjinisë femërore ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo është konfirmuar nga mjekët kujdestarë, ndërsa është plagosur një person mashkull , i cili është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj.
I dyshuari pasi ka shtënë me armë zjarri është larguar në drejtim të panjohur.
Ekipe të policisë menjëherë kanë rrethuar zonën dhe në ora 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje.
Ekipe të hetuesve dhe krim teknikët janë në vendin e ngjarjes të cilët janë duke e ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërsa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit.