Piktori gjilanas Bekim Hyseni, ia ka dhuruar një pikturë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit me portretin e tij të shtunën e 13 prillit në Gjilan, ku kryeministri ishte prezentë, pasi siç njoftoi LV-ja në këtë qytet, janë anëtarësuar 80 persona në parti.
“Një dhuratë pak e vogël, t’i meriton ma shumë”, dëgjohet duke i thënë Hyseni-Kurtit teksa ia dhuron portretin.
Pos pikturës, gjatë muajit shkurt të këtij viti, në fshatin Peran të Podujevës ishte zbuluar një shtatore për Kurtin.
Kjo vepër është vendosur në oborrin e mërgimtarit Sabedin Uka, vlera e të cilës ka thënë se është rreth 50 mijë eurove.
Uka pati thënë se këtë gjë e ka bërë në shenjë dashurie për kryeministrin kosovar i cili qeverisë me vendin qe tre vite.
Shtatorja u zbulua në tre vjetorin e fitores së zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë nga Lëvizja Vetëvendosje me lider Albin Kurtin, mban emrin e Kurtit duke u cilësuar si “Shpresa e Fundit”.
Gjatë muajit mars, Kurti, në tre vjetorin e qeverisjes pati theksuar se “jemi krenarë dhe ballëhapur për mënyrën se si kemi qeverisur”.
Si sukses të qeverisë së tij, ai potencoi se është dyfishimi i numrit të të rinjve të punësuar, derisa shtoi se nga mbështetja e ekzekutivit 12 mijë gra kanë vende pune.
Sipas kreut të ekzekutivit, është zbutur edhe hendeku i eksport-importit duke mbështetur prodhuesit vendorë e qarkullimin e bizneseve.
Kurti është mburrur se qeveria e tij ka bërë shumë në sundimin e ligjit dhe se korrupsioni është duke u luftuar, por sipas tij, “eliminimi i tij varet nga gjykatat e prokuroria”.
Po ashtu, ai ka përmendur edhe shtesat për nënat lehona e fëmijët nën 16-vjecar, dhe arsimin e lartë falas.
Sa i përket Ushtrisë, ai potencoi se të njëjtën e “kemi më të fortë e më të përgatitur, sepse e ka buxhetin dyfish më të madh, e trefish investimet në armatim”.
Programi 12-milionësh “Kosova, shtet i xhudos”, sipas Kurtit, konfirmon mbështetjen që ekzekutivi që drejtohet nga ai e ka pasur për sportin./albanianpost/