Ekipi ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen e radhës kampionale në Albi Mall Superligë ndaj Feronikeli ’74. Trajneri Gentjan Mezani është paraqitur para gazetarëve për të dhënë impresionet para duelit, si dhe duke folur në gjenerale për formën të cilën ka kaluar skuadra në këtë edicion garash.
“Na pret një ndeshje e vështirë, duke ditur faktin që çdo ndeshje është finale, megjithëse duhet pranuar që jo gjithçka vendoset në këtë sfidë. Ekipi është i gatshëm për të dhënë maksimumin dhe për t’i përmbushur sadopak pritshmëritë e tifozëve, të cilët na kanë mbështetur pa rreshtuar dhe ndoshta nuk kemi arritur t’i gëzojmë ashtu siç ata e meritojnë”.
I pyetur për edicionin dhe pritshmëritë…
“Kemi nisur një kampionat me shumë ulje dhe ngritje. Normalisht që një klub si Gjilani mëton daljen në Evropë, por ky vit është vit i sacrificës. Edhe për mua si trajner është jo e lehtë, pasi që gjithmonë synoj të drejtoj ekipe që për objektiv kanë Evropën”.
“Mund të them që këtë vit të gjithë skuadrat janë të forta, hiç Lirinë që është larguar nga objektivat. Secila skuadër mund të mposhtë secilën, ndaj duhet patur shumë kujdes. Ne do të luftojmë deri në xhiron e fundit, pasi që karakteri dhe sakrifica janë ato që e karakterizojnë këtë klub dhe këtë grup të lojtarëve”.
Shefi shtabit teknik mbylli konferencën duke bërë thirrje që gjithë tifozët që kanë mundësi, të vijnë dhe ta mbështesin ekipin në këto ndeshje vendimtare për fatin e skuadrës për këtë edicion.