Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur rreth çështjes së dinarit serb, duke thënë se ndalimi i saj nuk është hall i Serbisë porse ata po shqetësohen që po ndalohet paraja e gatshme.
Ai tha se e mbështesin plotësisht rregulloren e BQK-së, i cili është institucion i pavarur i Republikës së Kosovës.
“Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës është një rregullore e një institucioni të pavarur. Serbia nuk e ka hall që po ndalohet dinari, sepse dinari nuk po ndalohet por po ndalohet dinari si mjet pagese dhe kjo është kërkesë e nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës: Ajo ka hall që po ndalohet cash-i, paraja e gatshme. Dhe ne, për të pasur transparencë se kush kujt i dërgoi para me çfarë qëllimi, e mbështesim plotësisht këtë rregullore të BQK-së që është institucion i pavarur i Republikës së Kosovës”, tha ai.
Kurti shpjegoi edhe për modalitetet se si ajo të zbatohet dhe të funksionalizohet. Ai tha se në Bruksel po dialogohet për këtë çështje dhe janë në rrugë të mbarë për të gjetur një zgjidhje.
“Janë duke dialoguar në Bruksel rreth kësaj dhe unë mendoj që janë në rrugë të mbarë për të gjetur një zgjidhje e cila e mundëson tranzicionin e lëmuar drejt kësaj rregulloreje, e cila jo vetëm që është e drejtë e Bankës Qendrore të Kosovës, por është rregullore e drejtë për të mirën e qytetarëve”, tha Kurti në një intervistë për DW.
Kujtojmë se në Bruksel gjatë ditës së enjte ka përfunduar pa marrëveshje edhe një rund i bisedimeve mes Kosovës e Serbisë në nivel kryenegociatorësh. Ashtu si edhe gjatë takimeve të mëparshme ku nuk ka pasur marrëveshje, temë kryesore e takimit ishte çështja e dinarit.
Takimi i pestë ndërmjet palëve e që zgjati më shumë se shtatë orë përfundoi pa ndonjë rezultat konkret, teksa u paralajmërua edhe një takim tjetër në javën e dytë të majit, i gjashti me radhë.
Siç kanë paralajmëruar të dy kryenegociatorët, Kosova dhe Serbia do të paraqesin komentet e tyre për propozimin e ri në ditët në vijim, ndërsa takimi i radhës për të njëjtën çështje do të mbahet në mes të majit. /Reporteri.net/