Gjilani iu shmang barazhit vetëm në xhiron e fundit kampionale. Ndërsa tani kur kampionati ka përfunduar Gjilani pritet të përballet me një krizë tjetër, me një valë largimesh të futbollistëve, duke filluar nga më i miri Armend Thaçi, shkruan “Zëri”.
Kryetari i klubit Florim Zuka ka theksuar se gjatë këtyre ditëve do të bisedojë me futbollistët kryesorë rreth vazhdimit të kontratave. Ai ka thënë se Gjilani do t’u ofrojë kushte optimale me mundësitë që i ka. Por ua ka bërë me dije se klubi kuqebardh nuk do të hyjë në garë me klube të tjera se cili po u ofron para më shumë.
“Asnjë lojtar nuk e kemi në plan që me çdo kusht ta mbajmë në klub, por një e di, Gjilani do të ketë një fytyrë tjetër në kampionatin e ardhshëm”, ka theksuar ai.
Pavarësisht largimeve të shumta që pritet të ndodhin nga Gjilani, kryetari i këtij klubi i siguron tifozët se skuadra e tyre edhe në sezonin e ardhshëm do të jetë konkurrues i fortë në Superligë dhe do të tentojë të fitojë edhe trofe. Ai ka theksuar se Gjilani shumë shpejt do të bëhet me trajner të ri.