Deklarohet i pafajshëm polici i akuzuar për falsifikim të dokumentit zyrtar
Zyrtari policor në stacionin policor të Gjilanit, E.B, i akuzuar për falsifikim të dokumentit zyrtar, është deklaruar i pafajshëm, të hënën në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Në shqyrtimin fillestar, ai ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë se ka ndërhyrë në tiketat e kolegut të tij, S.D, me qëllim të ndryshimit të dhënave për kundërvajtësin në trafik.
Sipas gjykatësit Aziz Shaqiri, i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, me arsyetimin se kundërvajtësin A.H, e njeh dhe e din se e ka gjendjen ekonomike mjaft të rëndë dhe që të njëjtit t’i bëhen lehtësime, i kishte ndryshuar tiketën.
Gjykatësi Shaqiri, ka thënë se të akuzuarit i është dhënë afat deri më 15 qershor, që të paraqet kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Prokuroria Themelore në Gjilan kishte ngritur aktakuzë ndaj E.B, më 27 mars 2018 me dyshimin se i njëjti kishte kryer veprën penale “falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga neni 434 par.1 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, zyrtari policor, E.B, më 8 janar 2018 në stacionin policor në Gjilan ka falsifikuar dokumentin zyrtar duke ndryshuar të dhënat në tiketën për kundërvajtje – fletëparaqitjen e zyrtarit policor S.D ndaj kundërvajtësit A.H, duke shënuar në vend të nenit 188, i cili parasheh dënim me gjobë prej 100 – 300 euro, kishte shënuar nenin 118, ku i dënuari kishte paguar vetëm 10 euro përkatësisht, 50% të gjobës së paraparë prej 20 euro, sipas nenit 118.