I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka potencuar se në vitin 2020 Kosova dhe Serbia kanë bërë përparim dhe janë dakorduar për disa nga elementet e Marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme që do ta përfundonte njëherë e përgjithmonë dialogun në mes të dy vendeve.
Por, me ndryshimin e Qeverisë në Kosovë, sipas Lajçak, ka ndryshuar edhe “qasja e Kosovës ndaj bisedimeve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse”.
“Ne kemi filluar të diskutojmë elemente të ndryshme të kësaj marrëveshjeje në vitin 2020 dhe kemi bërë përparim të mirë në elemente të ndryshme. Me ndryshimin e qeverisë në Prishtinë ndryshoi edhe qasja e Kosovës ndaj bisedimeve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, ka thënë Lajçak në një intervistë për mediumi opozitar serb, Nova.rs.
Megjithatë, sipas tij, të gjitha aktivitetet janë të lidhura me marrëveshjen gjithëpërfshirëse.
Në vlerësimin e tij edhe Marrëveshja Bazë, e dakordësuar vitin e kaluar, është pjesë e rëndësishme e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.
Marrë për bazë këtë fakt, Lajçak ka kërkuar që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë obligimet e tyre të dala nga Marrëveshja Bazë.
“Zbatimi duhet të fillojë menjëherë në mënyrë që edhe Kosova edhe Serbia të fillojnë të përmbushin obligimet e tyre paralelisht dhe hap pas hapi duke u bazuar në parimin se të dyja palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka”.
Diplomati sllovak ka potencuar se Kosova duhet të procedojë tutje me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duke pranuar draft-statutin evropian për këtë mekanizëm.
Ndërkohë që Serbia duhet të fillojë të përmbushë obligimet e saj paralelisht duke filluar njohjen e simboleve të Kosovës, dokumenteve dhe institucionet.
“Konstruktiviteti i tyre do të matet vetëm në bazë të progresit në zbatim – jo në veprimet apo deklaratat publike të palës tjetër. Topi është në fushën e Serbisë dhe Kosovës dhe ne presim që ata të fillojnë të përmbushin marrëveshjet”.