Më 5 maj, Klubi i Karatesë “Agim Ramadani” nga Gjilani do të presë mbi 450 karateistë dhe 40 klube nga e gjithë bota dhe vendi.
Ky turne, i cili është i dyti i organizuar nën sloganin “Ditët e Agimit”, është ngjarja më e madhe e karatesë në vend. “Është një nder dhe privilegj i veçantë që klubi jonë mban emrin e Agim Ramadanit, një figurë kolosale dhe hero kombëtar. Me këtë rast, po e organizojmë për herë të dytë këtë turne ndërkombëtar, i cili ka konfirmuar pjesëmarrjen e mbi 450 karateistëve. Rreth 40 klube nga Kosova do të jenë gjithashtu pjesë e kësaj ngjarjeje. Dita e dielë, 5 maj, do të shënohet si dita e karatesë në Gjilan, dhe pritet që Palestra Sportive ‘Bashkim Selishta-Petriti’ të mbushet plot me entuziastë të karatesë,” raporton Shkëlzen Balaj.
Balaj shton se ky turne do të mbahet nën vëzhgimin e Federatës së Karatesë dhe do të ketë pjesëmarrës nga shumë shtete. “Federata do të monitorojë eventin, dhe kemi konfirmime për pjesëmarrje nga karateistë nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Lugina e Preshevës, dhe për herë të parë, nga Franca. Ky turne pritet të ofrojë një spektakël të lartë cilësor me shumë karateistë dhe klube të nivelit të lartë. Si klub, kemi bërë përgatitjet më të mira të mundshme,” thotë ai.
Në fund, trajneri Balaj shpreh mirënjohjen e tij për ndihmën e marrë: “Me shumë ndjenjë, përfaqësoj veten dhe klubin ‘Agim Ramadani’ për të falënderuar çdo individ dhe donator që na ka mbështetur në realizimin e këtij eventi masiv. Pa ndihmën e tyre, ky spektakël i karatesë nuk do të ishte i mundur. Jemi thellësisht mirënjohës për këtë.”
Eventi “Ditët e Agimit” do të nisë në ora 10 të mëngjesit më 5 maj në Palestrën Sportive “Bashkim Selishta-Petriti”.